(Poezi e dedikuar për Dajën)
Drita ka dalë, rreze s'po lëshon
ka lind dielli e nuk po ngroh,
që kur shpirti Ytë, lart u ngrit
parajsën u urdhërua ta shëtitë;
me pikëllim e dhembje të madhe
e kuptova se po udhëton për amshim,
nuk pata mall, se shpesh u pam
vetëm dashuri, për Ty - Daja im.
Kaluam shumë kohë së bashku
vizituam familjarët e farefisin,
trojet e ndara shqiptare
ikona të ndryshme të heroizmit,
erdhe e më more pa përtesë
sa në mbrëmje e në mëngjes,
dhe më rrëfeje me shumë simpati
për atëdheun dhe madhështinë e tij.
Ti
asnjëherë nuk më hidhërove
as nuk dite të më mërzisje;
kur pas dere, prej shkolle më prisje
kur më mësove të luaj shah pa hile,
kur punimet mua m'i stolisje
kur bëja sherr, kurrë nuk bërtisje,
kur më shërbeje ëmbëlsirë e kafe
kur fshehtas tjerëve, bënim ca llafe,
kur në datëlindje më bëje befasi
kur në festa, me dhurata më prite Ti,
kur çiftelisë i bié dhe këndonim
kur dorë për dore, ne vallëzonim,
kur s'isha në qejf, m'a dije hallin
dëgjoja: "Hajde Dajës se po dalim",
nga dashuria, të ndërrova emër
dhe të thërrisja: "Daja Zemër",
pastaj buzën gaz më përgjigjeshe
me zërin e ëmbël që kishe..
Tani, në fotot e përbashkëta
që të gjitha janë veç kujtime,
por, Ti gjithmonë jeton
në mendjen e zemrën time!
Pensionimin dhe epitetin Gjysh
i doje, por t'i përjetoje nuk i prite,
se jeta nuk të dha më shumë vite
nipa e mbesa t'i prisje, t'i rrisje;
befasisht në një ditë Qershori
rrugës së pakthim, u nise,
edhe pse për tu kthyer u përgatite
Zoti zgjodhi që të mos vije.
Si të të përshkruaj ndryshe?
Gjithmonë i qeshur, plot hare
i qetë, i mençur e bujar,
vigjilent, i matur e gojëmjaltë
njeri fisnik me shpirt human...
Për të më shoqëruar me Hënën
një si Ti, sot më mungon,
dhe përmallohem të kemi takim
me Ty - shoku i shpirtit tim!
Besoj
se një ditë, një vitë, një jetë të tërë
do të jesh krenar me mua
ashtu siç jam unë me Ty.
(E vetmja mbesë e jotja, Laureta
që do të të dua përgjithëjetësisht,
dhe do të shkruaj me ëndje e mall
deri sa të të përqafoj sërish)
P.S.(Në foto, Basri Bajrami, biznesmeni i mirënjohur shqiptar nga Interlaka e Zvicrrës ku edhe ndërroi jetë në vendin e tij të punës, i cili përkujtohet nga mbesa e tij në datëlindjen e 63-të)
Aucun commentaire:
Enregistrer un commentaire