mardi 31 octobre 2023

Albina CEKA - Buqetë poetike

Albina CEKA

Albina CEKA 

KUR LOTËT KTHEHEN NË LUTJE!


Timonin e jetës dot se drejtojmë, 

kur fjalët vdesin, kthehen në lotë.

Shpirti i ngrirë, shtanget prej frikës

e lotët na bëhen lutja e ditës.


Lotë shpirti lidhur nyje në litarët e vdekjes,

Në pritje të buzëqeshjes, rikthimit të jetës,

humbur në fjalë t'helmuara shtrigash,

qorruar nga luftrat pjellë intrigash.


Tretur trishtimit, lotët kthehen lutje,

ditën kur ndër luftra filizat e ri këputen,

në qiell nga tymi i zi yjet shuhen,

në tokë me shijen e gjakut dhe lotëve gatuhet.


Lutjet në sofrat e bukës.. 

Rujna o Zotë, të mos vetëshuhemi!


RRUGA E PUTHJEVE!


U ktheva në rrugën e puthjeve,

ashtu siç e quanin ne të dy

Atje ku të dashuruarit putheshin

e të qetë shikoheshin sy në sy.


Hijet tona seç mu shfaqën,

në stolin mes luleve si dikur.

U afrova të puth buzën,

por më hasi buza në gurë.


Lulet mu kthyen në mantel të zi,

stoli si mur mu shpalos në sy.

Hej dreq po luan me mua kjo fantazi,

o veç kujtimeve s'ka ngelur gjë tjetër aty?


Rrugën e puthjeve e mora me vrap,

kujtimet tona i lashë rehat.

Sa mirë, ajo rrugë ku putheshim dikur unë dhe ti,

paska ngelur, rrugë puthjesh dhe tani.


DASHURIA, DRITË NË SHPIRT

 

Dashuria vjen si fllad i lehtë,

të përkëdhel me një shikim,

të bën për vete dhe e ndjen

me një prekje, një përqafim.

 

Dashurinë në ajër e ndjen,

të elektrizon në fluturim,

vjen si dritë në zemër të hyn,

si refren kënge kthehet në himn.

 

Nëse rrugët ndahen papritur,

në shpirt të mbetet porsi dritë,

kthehet në ëndërr të ndritur

të shoqëron ngado çdo ditë.


RËNKIMI I TOKËS


Tres sytë horizontit pa mbarim,

ku lotin tokës e ndjejë që rreshqet,

pikëllimit arratiset i miri mendim,

fundoset në të çarat që la ai termet.


Ku ëndrrat u shuan ndër rrënoja,

u varrosen pa asnjë ceremoni.

Ku trupat e shtypur kërkohen akoma,

mes luftës, tërmeteve dhe stuhi.


Universit i kërkoj  pak, vetëm pak mëshirë,

qaj, lutem, ulëras i përgjërohem të biem në ujdi

Akordet vdesin, përballë universit matematikë,

Ku Toka mes dridhjeve , kërkon të balancojë të sajen trysni.


SHPIRTIN TRES NË VARGJE 

 

Herë qëndis e herë arnoj,

zemrën ndër vargje lëshoj,

herë skicë me laps të zi,

herë tabllo ngjyrash larmi.

 

Herë qaj, qesh a këndoj,

shpirtin ndër vargje pushoj,

herë në vargje zbret trishtimi

më pas rreze lëshon gëzimi.

 

Herë si gonxhe plot me vesë,

herë petalet flakë e shpresë,

jam lulishte në pranverë

shpirtin tres n’vargje përherë.

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire