lundi 4 mai 2020

Rudina Papajani - Buqetë poetike



Rudina Papajani

E NJIHNI ATË ÇASTIN...

E njihni atë  çastin,
kur jeta të puth ëmbël,
apo të shan  pa faj,
të përqafon majtas- djathtas,
e si fletë  të heth matanë.
E njihni atë çastin ,
kur fjala vjen e të sëmbon,
e liga  del nga këmisha e djallit,
e rasa guri të përvetësojnë.
Po kështu është jeta,
avull e gëzim,
puthje në teshat e mallit,
flutura drejt llambës në agoni.
Them që atë çastin  e lumtur,
t'a bëj jetë të gjatë,
krahë të fuqishëm ëngjëlli,
puthje deri në mesnatë.
Them që edhe erën e fortë,
që vjen pa takt e më sëmbon,
ta bëj ledhatare në shtretërit e butë,
yjet ti luten qiellit,
kur mëkatin e lajnë mes detit dhe tokës,
pa demon,
e nëse vertet u dashuruan kaq gjatë,
mëkatin ja falën çastit,
shpirtit  te një fluture që nuk jetoi gjatë.


JETO DASHURIA IME!

Jeto dashuria ime,
merr frymë thellë aty në lëndinë,
grindu..puth..qesh aty në barin jeshil.
Jeto dashuria ime,
edhe kur drurët shushurijnë të trembur,
nga shtegu i ngushtë,
edhe kur era na fërshëllen ,
dhe na var në fytyrë gjethet e thara,
pa pikë njomje.
Jeto dashuria ime,
vrapo ..çel në thellësinë e dritës,
puth trëndafilin që hapi portën ,
gjysëm të mbyllur...jeto


PO PRITET TË DALË DIELLI...

Natën kur të gjithë flenë,
toka egërsohet nga dhimbja e ditës,
fjalët e mbledhura andej-këtej,
priten për t'u zëvëndësuar me të tjera molusqe.
Më kot malet ulen,
për të ndihmuar kodrinat,
që banojnë më poshtë.
Nuk ka ngelur gjë,
veç hirit dhe erës së djegur.
Tani dhe zemrat kanë dalë nga trupi,
qajnë e qeshin si për inerci të ironisë ,
me qesëndi vështrojnë shpirtrat,
që vetëm kur flenë kuvendojnë,
nga frika e premtimeve të zbrazura.
Vetëm gjuhët jetojnë si duhet,
janë zgjatur pak si tepër,
peshohen çdo mëngjes,
kur ndahet shapi nga sheqeri,
edhe tingulli vjen si i babëzitur,
ngre kordat për të rrëzuar
pelerinat e fisnikëve.
Sot dituria jeton vetëm në majë të malit,
edhe pse grerëza që flenë pranë një kërme,
aviten me shpresën e ndonjë hoji.
Po pritet DIELLI ,
që thonë se do dalë pas "mesnate"......


NË KËTË JETË...

Në këtë jetë erdhëm të paqtë,
rritemi dhe veshim,
cipën e hollë të turpit ,
kur mëkatojmë,
ndajmë brenda vetes,
dritën dhe hijen e verbër.
Flasim me vete,
lloj -lloj fjalësh të sinqerta,
grindemi për botën,
që na thith disa sekonda jetë,
thurrim ëndrra për të dashurin që na dhemb.
Pastaj kur biem të flemë,
puthim ëndrrat ,
ledhatojmë dritën që del e ngjallet,
në yllin që bie padashur nga qielli...


SOT PO GRINDEM ME TOKËN...

Unë linda nga dheu i gjërë,
rrënjët i mora nga toka e ngrohtë,
që jetën ma fali,
ditën kur mata vlerën me shpirtin,
çastin me dëshirën,
tek ecnin kaluar mes mëkatarëve,
e luteshin  për prehje në çerdhen e fatit.
Unë kam lindur mes asaj këmbane,
që zgjon të dashuruarit,
tek dëgjojnë këngën e diellit,
mes valëve ledhatare .
Kam lindur aty ku Zot është njeriu,
që largon retë e trembura,
e plas gënjeshtrën fatale,
te djajtë në hije ziliqare.
Sot po grindem me tokën,
në lindje si çilimi,
pastaj ja marr vrapit,
të dergjem diku ..në gjirin e tij.

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire