dimanche 3 mai 2020

Mimoza Eliona Osmani - Buqetë poetike



Mimoza Eliona Osmani


(1)TË QAJA DETET...

Dini çfarë mendova dje!?
Më erdh' si flash një mendim,
Pastaj, thash vetes mos u ndje..
Ky rruzull ka marrë një drejtim..
Sikur të isha -thashë  kapiten, 
Të çaja detet pa mbarim,
Mbi kokë  të zogjve këngë refren,
Larg nga kjo botë  e pa shërim..
Na gjeti të papërgatitur,
Si mizat në rjetë merimange,
Në dyer shtetesh ka trokitur..
Një oshëtimë që dot si shmangesh.
E dini çfarë mendova dje?
Të  shihja zotin sy më sy,
I plotfuqishëm mos u kurse!     
T'i thosha zbrit, ç'më rri aty..
Po hedhin botën në greminë,
Këtu janë të sëmurë për lekë,
Pranvera e  ka bukurinë..
Por, njerëzimi s'mund t'a prek.
Si Titaniku,  se shumë e zgjata,
T'a mbys të ligën  në  një vapor, 
Ti ndërojë botës  koordinata,
E t'a shpëtoj ,nga vrasëse dorë..


(2)ZGJODHËN NJË OGIÇ…

Delet ngatëruan rrugën.
Mes pyllit ngujuan veten.
Dragojt i dogjën me fugën.
Festë kërkonin e gjetën.
Se dikur të gjithë bashkë,
Mbledhje për një kryetar,
Zgjodhën një "Ogiç" si ashkë,
"Ndizet" u bë "derr" i parë…
Na u mbush pylli me derra .
Delet e shkreta në këmbë.
Bën një lluc që u qelb era.
Si hira kohësh në shtambë.
Derra të bardhë kisha parë,
Po ashtu të zinj, por rrallë!...
Nënë...ca të kuq si zjarrë..
Thua me gjak "ngjyer" vallë!...
Mes një pylli këta derra,
Njëri më i fryrë se tjetri,
Nuk ushqeheshin nga (era),
Bënim ç'kishte bërë i vjetri.
Shtresa u qe bërë pëllëmbë,
Derrat për delet çoban .
Tashmë asgjë nuk i tremb,
Delet…shkurtabiq-vigan…
Në "llerë" trashur ky derri,
Dhjami u mbuloi veshk'...
S'doli një kasap ti therri,
Ti zinte në rrjetë si peshk.
I mbyllën koronës derë.
Se e dinë që kanë pisllik.
Shpirtit kanë nga një kolerë.
Deri palcës kanë marrë frik’.
Do të zgjohen dele e lepuj!...
Nga ky gjumë letargjik!...
Pas bariut si dishepuj,
Ky thonë është "derr" simpatik !...
Do të ketë në shekuj derra.
Ujq e dhelpra do të ketë.
Delet leshtat nëpër ferra,
Rrugën duhet ta gjejnë vetë.


(3)ÇERDHE PËR KTHIM

Vetëm një të puthur sonte ti më fal,
Sikur dinë të puthin veç të shijshmet buzë
Freskojnë si të jesh mes gryke në mal,
Ziejnë kur ëndërrojnë buzën tënden shpuzë.
Dua të ta marr një puthje me vete,
Të mos jem e vetme, natën nëpër rrugë,
T'më ndriçoj si hëna, kur bie mbi dete,
Nën pemën e jetës, ta kem si për lugë.
Të ha dalëngadalë, më të pjekurat fruta.
Bërthamat t'i hedh si farë nëpër tokë.
Që ta njoh mirë vendin, që nga i shkëputa.
Në rikthim ti kem pranë vetes si shok.
T'u flas për një zjarr pemëve të mbira,
Sepse nga një puthje ka lindur një jetë...
Që lastar përhap prej të reve shira,
E gjethet nga ngjyrë ylberit të vet.
Gjoksit i kanë rrënjët si punë e mushkërisë,
Frymojnë e zgjerohen si firzamonikë,
Falmë sonte puthje shenjë të dashurisë,
Degë të pemës jetë të bëhen çelik.
Vetëm një të puthur sonte ti më fal,
Ta kem udhërrëfyese si sy për në diell,
Zhuritur të zbres e etur mbi valë,
Aty ku edhe deti më duket si qiell.
Aty ku unë shuhem si yll sa ti prek,
E nisem sërish si zog në fluturim,
Aty ku rringjallem, porsa të kem vdek,
Dallëndyshkë mbi buzë, çerdhes për kthim.


(4)TË HARROJ DUA…

Se çfarë kam se di as vetë,
Kam një si vrimë në stomak,
Herë zmadhohet sa një det,
Herë mblidhet si kokordhak.
Keni ndjerë kur je si bosh!?
Hi i mbetur pas një zjarri,
Ku as këmbët s‘heq dot osh,
Ngre exhel dreqi ta marri!?..
Bie, çohej, si sarahosh,
Sikur pirë ka një fuçi.
Trupi me dhimbje u mposht…
Sikur plasur ka mëlçi…
Si limon verdhet fytyra,
E rënë si gjethja te bari,
Kur pashë veten te pasqyra,
Sikur dalë kisha prej varri!
Dyll si anemike, e s’di!
Me veten bëra dialog.
Bëj ta pyes filloi shi…
U strukën fjalët si zog...
Ç’të mundoka, moj e mire!?
Vidhesh si hënëz me retë.
Dini ç’tha!?.. -dua një birrë!
Sikur ta kishte amanet!…
Të pijë, të harrojë – tha dua…
Lashë diku zemrën e gjorë,
Shpirti nuk rendi pas mua…
U var pas rrahjes si zorrë!...
Mbetur trup pa shpirt pa zemër!
Dhe pa zemër nuk rron dot!…
Kjo sëmundje a ka emër!?..
Dashuri!?...a kot më kot!!…
Se çfarë kam as vetë se di!
Të harroj, dua të pi..


(5)PELHURË KUJTIMESH

U tundën perdet prej mëndafshi,
Një erë tinëz i shtyn ngadalë,
Mes kraharorit dilte afshi,
E në dritare çonte vale...
Me sy përhumbur, në mjegullnaj’.
Mes një curile shiu jashtë,
Seç m’u kujtuan sytë e saj,
Si sytë e ballit i kam dashtë.
Me furkë të kohës mblodha vetë,
Imazhin e hënës nëpër yje,
Imagjinata vërtik te retë,
E malli zbret si natë ndër pyje.
E zemrës portë hapet kanatë,
Pret që të hyjnë rrezet e diellit,
Sot ky agim është i pamatë,
Ky zjarr hedh flakë në kupë të qiellit..
Me mollëza prek flokët mbi sup,
Ku kokën mbështesja për gjumë,
Aroma jasemin ndër trup,
Vërshon si ujët nëpër lumë.
Më lagu si vesa te bari,
Ku të kam puthur mijëra herë,
Sytë më të ndritura se ari.
Pëlhurë kujtimesh endur-tjerrë...
E buzët manxhuranë me erë,
Lanë shenjë mbi avullin në xham,
Nga brenda-jashtë vështroi pranverë,
E qindra fjalë që më si thamë…
 

(6)“SORKADHE”

"Sorkadhe" e vogël lëndine,
Ti barit të gjelbërt  kullot,
Drejt malit të  zemrës, alpine..
I'u ngjite  më -the Imzot.. 
T'a fala shpirtin ,hallall..
Rrëmbyer më kanë sytë e zinj,
Lëkura e bardhë si dhallë,
E këmbët e drejta qirinj.
 Si mumje  mu qep buza,goja,
Të pashë dhe u mpiva si zall,
E trupi  s'bënte dot  gjoja..
Mornica si shkrepi u ngjall..
Nga magji e flokut si terri,
E mesit  si barbi të ngushtë,
Një rrigos si kokra sheqeri,
Si ethet e  zjarrit  në   gusht..
Buzëqeshje me cepin e dritës,
E rrezet vërshuan si shtiza,
Mbi shtatin e brishtë tabelqitës
Prej sysh me qerpikët si driza
Më zure si macja zë miun,
E unë t'u dorëzova i tëri..
Se prisja, të lije pas, shiun..
E ndjenjën këpute si përi..
Imazhi vozit në mes syve,
Të mendjes që joshe me prush..
Dhe flaka që digjte mes gjive
Alkooli  dy "kokrrave rrush"..
E vogël lëndine "sorkadhe" 
U lutem të vish perëndive,
Sërish në të miat livadhe..
Ty.. petkun e gjithë bukurive..

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire