mercredi 11 mars 2020

Buqetë poetike nga Fatbardha Xhani Myslimaj

Fatbardha Xhani Myslimaj
E THJESHTË

Më tha
se më donte sa ajri,

më shkojnë shumë
frutet e qershisë;

krahët e verdhë
të fluturës,

dhe prekjet e thëngjijve
të dashurisë...

2014

NDOSHTA KËSHTU

Kumbulla flen
Matanë dritares terr
Buisin sythat në fshehtësi.

Ndoshta
Kështu vjen pranvera
Në heshtje, pa zhurmë...

Ndoshta,
Kështu vjen
Dashuria!

TRANDAFIL

Natën këndoja
Për një trëndafil të kuq,
Të tharë.

Për dritën
Që binte mbi të,
E ia ngrohte petalet.

Për moshën
Që bëhet pluhur
Përmbi kohën e ikur.

Në mëngjes
E kisha harruar
Si të mos kish qënë

Tani
Dua ta këndoj!


PA MEND

Bëhem lot prej mallit tënd
Prej mungesës gdhihem zgjuar
Pastaj mbetem krejt pa mend
Frikem, mos më ke harruar...

Dhe kur gjumi pak më merr
Them, do zgjohem ta kujtoj
Ndoshta të ik, nëpër terr
Lehtë ta puth edhe ta zgjoj...

Se është bukur ky harrim
Ky vegim nga bota fshehur
Më sjell tmerr e ngazëllim
Herë e vdekur, herë e dehur...

2013

ÇASTE LIRIKE

(RIMË)

M'u në gonxhet e një dege
çeli heshtur një mendim
mori bojën e një shege
shkroi hidhur mallin tim...

Ishte diell apo valë
ajo këngë që zuri fill
ishte hi a ishte zjarr
apo një gjethe tërfil...

Lules nisi t'ia lëmojë
gjithë petalet nji nga nji
çastet zuri t'i kërkojë
nëpër diell e nëpër shi...

Ndoshta fshehur ndënë lule
rrinë kujtimet e një ëndrre
çelen, rriten me pekule
fshijnê lotin e një dhembje...

01.03.2014

ENDE

Unë nuk desha t'i vdes ato flutura
Aroma të mira që i sillte mbrëmja
Unë ende ëndërroj lule të bukura
Mes gonxhesh, ku çelte dhembja...

2013

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire