dimanche 23 février 2020

Zoica Gjolla Popi - Buqetë poetike

Zoica Gjolla Popi

DASHURI E MARRË

Folmë,
sonte me mua...
në hënën plotëshënuar...!

A e di që dashuria është
e gjallë,
e pavdekshme,
e marrë?

Bëmë, të çelem si gonxhe
petalembyllur, vesepikuar!
Tërhiqmë...!

Si të shpresoj pa u puthur,
si të puthem e pa shpresë?

E pakapshmja, në emocione
perleshumta vjen...
Pa imitim,
pa limit...
Eh...
Të tretëmbetur,
ajër u bëfshin!



E LARË ME YJET

Merrmë ëndërr
në mpirjen e gjymtyrëve
marramendjes
të më përkundesh
mos më tremb me surpriza ireale
plotësisht hënë e plotë
pesëmbëdhjetë
panselino
ku lashtësia ka zgjatur duart
në tejzgjatje
në tejpërulje
për dëshira të etura

Të përgjërohem
m’i jep rrezethyerat
në reflekse diamante
sa hapësira hënore
u bëfshin bizhu sonte
për hiret e mia.

Tisi ndriçues le të kthehet
nga i kaltër në lejla

do t’i bëj hyjnitë
të çuditen me vellon time
gojë hapur në një zë të thonë
çfarë kombinimi!

Le të marrin penelet
me gishtat e tyre të tejzgjatura
e t’i ndjell në piktura
me telajo
të habitura
drejt meje
unë që mbaj
thesarin e kujtimeve
të shkrirë në shpejtësinë e kohës
o sa e plotë kjo hënë sonte
të përgjërohem
me fuqinë e tij
do ta sfidoj detin!

Jo nuk jam në fantazinë e Zhyl Vernit
për matje thellësish
e kapitenësh jo realë
jam e dashura e tij

jam njeri ëndërr
do t’i them gënjeshtra
se nuk ndjehem mirë atje në breg
aq sa pulëbardhat të zgjohen
të qeshin
nga psherëtimat e mia
por ti jo det
unë kam fuqinë e njeriut
të dashuruar me ty
do t’i fshij lotët e kripura
oh sa shumë lot!

Sa të lashta fshehtësitë!
Sa mister!
Sa frikë!

Eja behu plotësisht i imi
si kjo hënë e plotë
kam fuqinë e njeriut të dashuruar me ty
do t’i jap shpirt dallgës
me muzikë violinash do t’i kthej në valë
në një shkumëzim

puthje pafund
në më të ëmblën njerëzore
ëndërr deti
ëndërr shkume
ëndërr vale...

Më kthe të lutem
atje në breg
si vajzë vale
e larë me yjet
këmbëzbathur
e lagur
symbyllur
gjysmë e dehur
nga vera e ndjesive të mia

21 - 3 - 2018
Angli

ZAMBAKU I BARDHË

E hodhe zambakun e bardhë
në dy dallgë
përpirë njëra tjetrën
në shkumëvalë
degëkëputuri, petalebardhë
në dy shpirtra të lënduar
në një dhimbje të carë
ç’deshi vallë?

Ç’e tërhoqi aromënektarin
nga larg një pulëbardhë
e trembur, lozonjare
në një shkëmb myshqesh dalë
rrahu krahët në një klithmë gëzimi të paparë
me shpirtin vjen tek ti
a je aty pranë saj?

Me sqepin shtrënguar
pastë rrugën e mbarë
në gjatësi fluturimesh
të së njëjtës valë
me aromën të mbetur në trup

në një ind
në një venë
me dashurinë e marrë.

Shpirtra të bardhë
frymëmarrje në nektar
në më të bukurin

zambak të bardhë…!

DY BRIGJE

Në nënkalime urash
thërras emrin tënd
jo.... jo për të lidhur dy brigje
por për një zë ndryshe
në një thirrje të pazakontë
sa për të kuptuar
ej..... ej.... a je aty?

Eh.. brënda një tingulli
që tingëlloi guximshëm
drodhi botën time
e bërë tokësore
rrotulluar në boshtin e vet..

Po më rëntë pika mua
kur ia hoqa velin hënës
e padashur gërrica vehten
në një dhimbje që la shenjën
për të mos u fshirë .

Por.......por....
i bukur tatuazhi
që mori formën e dy buzëve

të mbetur në diskun e hënës.

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire