Laureta Osmani |
Ti
linde si gjithë fëmijët e tjerë
mirëpo, jo, ti jo
nuk u rrite njëlloj si ta,
se Zot për Ty
nuk ishte vet Zoti
ishte çdo mashkull
që ka mundur të të njoh...
Ti
u kujdese për Nënë e Babë
dhe ruajte nderin, u lartësove,
Ti
iu binde përherë vëllezërve
iu shërbeve veç në heshtje.
Ti
asnjëherë nuk e ngrite zërin
edhe kur të bënë padrejtësi,
edhe kur fatin donin të ta caktonin
e as atëherë kur të keqtrajtonin.
Si?
Si asnjë klithmë nuk e nxorre
si asnjë fjalë nuk e the,
më thuaj, a kaq e fort ishe
apo në vete gjatë u përbive?
Ti
sakrifikove vetën e jetën
vetëm që të lumtur të jenë të tjerët,
a s'më thua, ç'pate brenda
një zemër apo ndonjë gur?
Ty, që
t'i shuan ëndërrat e fëmijërisë
t'a rrënuan çerdhen e dashurisë,
a s'më thua, përse heshte
si munde t'i kapërdije ato dhembje?
Ty, që
ta ndaluan frymëmarrjen e lirë
nga injoranca e hipokrizia,
një herë, sa ishe vajzë
pastaj edhe kur u bëre grua...
pa më thuaj, si ia dole
që të mbijetoje, të vazhdoje,
pa më thuaj, si ia dole
që rreze drite të reflektoje?
Sot, Ti
Ti, je Nënë që s'mposhtesh dot
dhe një grua që nuk dorëzohesh,
më trego, a do të vazhdosh
botës - dashuri t'i dhurosh...
Ti, je një Nënë që shumë duron
më trego, a do të vazhdosh
edhe për meshkuj të kesh
dhembshuri
ani pse ata s'të njohën si njeri?
Na falë, o Nënë
na falë neve kur ankohemi
kur pikëllohemi e zemërohemi,
na falë, o Nënë
na falë që ne zërin e ngrisim
që s'të qeshim e të mërzisim.
Ti
je shembulli më fisnik
i një zemre të dëlirë,
je modele e pakrahasuar
e fjalës dhe veprës së mirë...
Ti
je bekimi i përndritur
shtyllë kryesore e shtëpisë,
një pasuri e paçmim
dhe simbol i lumturisë.
LAURETA OSMANI
13/11/2019,
Ferizaj-Kosovë
Aucun commentaire:
Enregistrer un commentaire