lundi 28 octobre 2019

Lavdije Karrametaj Zalli -Buqetë poetike

Lavdije Karrametaj Zalli

ME HIJEN FLAS...

Jam e huaj,
E padukshme
E shurdhër e memece.
Jam e verbër,
Nuk i njoh e nuk më njohin,
Nuk shikoj as nuk më shohin,
Nuk dëgjoj as nuk më dëgjojnë.
Jam vetëm një hije,
Hije që vetëm vetën shikon.

Hapat e mi askush nuk i dêgjon,
Vallzoj në mes të rrugës, këndoj me sa fuqi kam,
Por askush nuk është të më duartrokasë
E të më komplementojë,
Dhe hapat e rëndë vazhdojnë,
Në rrugët e panjohura,
Kënga kthehet në bumullima,
Vetëm vallëzimi vetëton në qiellin plot dallgë resh,
Që ushtojnë nga thellësi e detit.
Dhe unë vazhdoj rrugën e heshtur,
E shurdhur e memece...

E padukshme në këtë botë...


N' QOFT SE BAHEM POETE

N'qoft se nji dit' kam me u ba poete,
N'qoft se ka m'i ardh rradha, vargun me ma lexu,
N'qoft se nji nat keni me m'nigju tu këndu,
Dijeni, pra se ka me ken kanga e vargut tand,
Qi edhe zotnat, nalt kan me ndigju.

Për syt' e tu e pa gzuemja, e vuajtjeve t'mia,
E amla jeme nan,
Për durt tuaja qi tan jeten ti pash gjith varrà,
E prej t'dhimdnit, netve
t' gjata pa gjum m'kan lan,
Tuj t'shkri akullin mbi buzt e tua t'thata,
E me dashnin teme, trupin tand t'akullt,
Njimij here un shkrie ta kam.

N'qoft se nji dit, do t'bahem poete,
Do t'gjitem n'njat ma t'naltin mal,
Zotit krejt vuejtjen tande do t'ja tham
Por nuk e di, a ka me m'nigju,
Ndihm për ty Zoti, nuk di a ka me kan!


KUR DO MARRIN FUND ?

Vetëm ndër prralla m'ka nxe dielli,
Tek legjendat e vjetra, gjysh e stërgjysh njofta,
Vetëm ndër andrra baben,kam pritun me takue,
I strukun mbas murit, fminin e kalova.

I mshehun pa e pa diellin, kur lind as kur prendon,
Pa e par t'bukren hanë naten tu e ndriçue,
I dënuem paskam ken qysh n'barkun e nans,
M'katar i ksaj bote, me ken i dënuem.

Lindun e i rritun, me frig e n'varfni,
Tu e pa vdekjen si hije, kulles rrotull tu ju sjell,
Kur do marrin fund, vëllavrasje e hasmni?

N'paq me na ra shpirti, t'lumtun edhe na me ken!


VJESHTA E HESHTUR

Dua te rri me qetësinë e zemrës sime,
Mjaft kam folur dhe kam dëgjuar,
Qetësinë afër këtij lumi dua ta gjej,
Dhe me zogjtë të bisedoj në secilin varg,
Se heshtjen vetëm ata e kuptojnë,
Tek valët e lumit bashkë do të lodrojmë.

Sot dua të flasë vetëm heshtja ime
Megjithatë do të rri në secilën valë të saj,
Të marr frymë nga gjethet e pemëve,
Dhe gjumi të më zërë tek foleza
Që zogjtë e kanë ndërtuar vetëm për mua
Tē marrë jetë për secilën cicërrimë n'këtē zjarr...

Pak ftohtë kam me këtë heshtje akulli,
Por vjeshta më ka mbuluar me ngrohtesine e saj,
Se s'dua të shkel mbi gjurmët e mërisë,
Por dua të jetoj me qetësinë,
Mbulojë t'i kem gjethet që lehtë bien mbi trupin tim të ngrirë,
Vetëm qetësia dua të më mbajë ngrohtë,
Vetëm ajo do të më kuptojë,
Duke ndjerë pranë të rrahurat e zemrës sime,
Si rrahjen e zemrës së zogjve,
Që po më këndojnë te koka dhe te këmbët...

Ah, po vetëm sonte dua te rri e qetë,
Mes pemëve, e zogjëve të këtij lumi,
Së bashku me heshtjen time

Valë- valë qetësia të më përkundi!

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire