dimanche 27 octobre 2019

Fatbardha Xhani Myslimaj - Buqetë poetike

Fatbardha Xhani Myslimaj
LULE DIMRI


Kam ngel atje
Mes borës
Si lule e bardhë dimri...

Marr mësysh
Perëndimet e ndezura all
Tej ëndrrës...

Rrëmoj kristalesh
Të nxjerr gjethe purpur
nga trupi i ngrohtë...

Pastaj turpëruar ajrit
Gonxhet-aroma hapen
një nga një mbi mua...

Atje jam mes borës,
E ngrime dashurie
Çeli një lule dimri për mua!

2012

NUANCA NË GUR
(alla Azem Shkreli)

Një ditë
u ula në një vend të shkretë,

Dëshirova shumë,
të deshifroj ngjyrën e gurit
ta ndaj në fraksione të holla.

Siç bëj me mendimet
sa herë kam kohë mjaftueshëm
veten ta shoh drejt në sy....

Dallova
nuanca të holla grije
në secilin vështrim të diellit mbi mua

Thashë me vete: ky gur
prej dhimbjes time
u trishtua...


2014

LINDJE

(Sot)

U gdhi,
Rrezet e diellit
Çanë natën mes për mes.
Shkëlqen mëngjesi si frut,
prej dhimbjeve të ëmbla
të lindjes...

As zhurmë;
as festë, as mburrje!
Krejt natyrshem u çel dita,
njerëzit rinisën nga e para zgjimin,
lanë dhëmbët e i buzeqeshën
luftës për të mbyllur bukur
një ditë...

Sa qetë, pakuptuar,
Ngjitet në kupë të qiellit
e jep gëzim, shpresë, jetë:
Dielli nuk ka nevojë të tregojë,
se vet ai e ndriçon

gjithë botën...


NUK ËSHTË TAMAM AJO

Koha s'vlen nëse nuk e mbush me ndjesitë e mia
Unë e di mirë, ajo që unë ndjej është e padukshme
Dhe nëse për një çast përmes fjalës time bëhet e dukshme;
Nuk është tamam ajo...


Koha s'vlen nëse nën hijet e së shkuarës kotem
Dhe çdo çasti nuk i vesh këmishën e magjisë
Edhe sikur në errësirën e dëshpërimin të zhytem pa e ditur se:
Nuk është tamam ajo...


Koha s'vlen nëse ylberët e passhiut s'më ndrisin
Pas çdo hidhërimi të shijshëm, të dëshiroj më tepër
Ëmbëlsinë e harrrimit dhe sydritë të shoh para duke thënë;
Nuk është tamam ajo...


Koha nuk vlen nëse nuk rrjedh si lumë me dallgë
Dhe merr me vete kërcunj të zemëruar nxitimi
Dhe në secilin lot pendimi nuk shkruaj një mësim që më thotë:
Nuk është tamam ajo...


Dhe nëse në një çast...
Dhe nëse një çast, koha ndalet
Do të them: po ishte tamam ajo:
Jeta ime...!!!

2011

E BËN DOT

Shpesh ndjehem e rëndë plumb nga e përditshmja
Ndoshta ti mundesh të bëhesh toka nën këmbët e mia
E të më lesh qiellit të vështroj me shpresën për pafundësi.

Shpesh mendimet e mia meken nga e përditshmja
Ndoshta ti mund të bëhesh qiell plot ajër të kaltër
E të më thuash se lartesitë janë ëndrrat e fëmijërisë...

Shpesh trupi im sfilitet e plagoset nga e përditshmja
Ndoshta ti mund të bëhesh melhem e të prekësh lëkurën
E të më bësh të kuptoj se thellësitë nisin nga sipërfaqja...

Shpesh shpirti im humbet në fatin e të përditshmes
Ndoshta ti mund të bëhesh e sotmja ime me sy të bukur
E unë vetë të harroj të djeshmen e të nesërmen pse jam me ty...


2012

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire