Bahare Daja Kasa |
U fikën ngadalë një e nga një të gjitha dritat,
si puls xixëllonjash në natë vere,
u mbyllën dhe dyert me bravat e rënda,
kapakët e dritareve e grilat e ndera.
Dhe zërat u heshtën,
u vunë në gjumë,
qerpikët mes ëndrrash përkunden,
nderet buzëqeshja hijshëm mes dëshirash,
në të prarërat sy e buzë.
Veç era rri zgjuar,
era dhe lumi këtu pranë,
shoqëri i bëjnë njëri-tjetrit ,
e flasin me heshtimin e paqtë.
Pagjumësi...
Çudi,më iku gjumi sonte,
me yjet flas nën shoqëri,
nën det qepallash më shkoka loti,
e shpirti i dehur s'mbyllka sy!
Sikur paksa ta dija notin,
në detin lot do futesha me llërë,
s'do pyesja për dallgë e për orteqe,
drejt teje rrugën do kisha bërë.
Çudi,nuk paskam gjumë sonte,
paçka se shtrirë shtratit mbeta,
nga larg të prita nën dallgë lotësh,
por veç më solle një puthje
e dy buzëqeshje
...por ja që edhe këto për dreq s'mjaftokan.
Dëshirë
Një ylber do t'i vizatoj këtij qielli,
e cep më cep me fjongo të kaltra do ta kap,
ashtu si flokët e vashave,
që hajthshëm u bien mbi shtat.
Një buzëqeshje do t'i ngjis këtij qielli,
e ugar do ta bëj,do ta ngas,
farat e mirësisë në rreshta do t'i mbjell,
e ngeshëm do t'i rris,pak e nga pak.
Një strehëz do t'i qep këtij qielli,
që t'i ngjajë së ëmblës shtëpi,
me mure të bardha e të kuqe çati,
me drita të kaltra,që të ndjell veç gaz.
Një frymëmarrje do t'i jap këtyre yjeve,
frymë shpirti,guximi e dashurie,
mes tyre të mbjell një dritëz shprese,
shpresën e mileniumit të këtij njerëzimi.
Yjësi
Mëngjesi vjen porsi yll i praruar,
që velin e natës hedh tej me delikatesë,
por ti më thua:"Je ti mëngjes për mua,
je ylli im që pikon mes lulesh vesë"!
Unë dorën zgjas mbi yjet çdo mëngjes,
e një nga një në prehër t'i hedh,
por ti më thua:"Nuk i dua yjet,
me dritën tënde dua të mbes"!
E yjet hënës i rrinë përkarshi,
ajo çdo natë rreshket prej xhelozisë,
por ti më thua: "Je ylli im,
yll që natës sime i jep dritë "!
Harresë ndër shekuj
Si ka mundësi me qindra vjet në harresë,
si ai f'mija jetim në duar të njerkëve?!
Përse o Zot, veç për ne s'paska ngushëllim,
por jetë e mot endemi dyerve të botës?!
Përse o Zot kaq shumë urrejtje
lëshove mbi këtë vend si kosore?!
Nëse të vdekurit me vuajtje i çon në botën tjetër,
të rinjtë me nge po i largon me dëshirë,me tampure.
Nëse asgjë nuk qëndron përmbi vdekjen,
e përmbi këtë ligj që vetë e ke vënë,
atëherë edhe Ti i takoke botës tjetër,
përderisa fuqinë për të ndalur braktisjen s'e ke!
A mos është kjo e jotja dëshirë,
që këtë komb,ta shpërndash si yjet në qiell?!
A mos vallë këtë dhè në harresë të shekujve,
në mëshirë të fatit prapë me shekuj do e lësh?!
Por ndoshta jemi ne të këqijtë e vetvetes,
ne,që gur mbi gur nuk lamë pa gremisur,
atë që s'bënë dot shekujt e harresës,
vet' ne, bijt' e k'tij vendi,
me duart tona po e stisim.
Jemi pra ne,armiq të vetvetes,
"të fortët" e vendit tonë
që ujin e zi ia qitën k'saj toke,
ata që lundrojnë në pishina mëkatesh,
me badigardë rrethuar e me femra eskortë.
Aucun commentaire:
Enregistrer un commentaire