jeudi 27 juin 2019

Armenida Qyqja - Buqetë poetike

Armenida Qyqja
TI VETËM EJA

Kur retë e dyshimit mbulojnë diellin tënd,
Kujtohu i dashur, se të dua,
Se të pres përtej tyre,
Përtej shtrëngatave të fryra nga fjalët,                  Përtej furtunave,
Zemërimeve të tyre, shirave të vrullshēm,
Ikjeve boshe, udhëve të zbrazëta.
Të pres me puthjen tënde mbi sy,
Me mallin për ty mbi ballin  
Ku përjetësisht flenë ëndrrat e tua,
Të pres përtej ditëve dhe netëve,
Përtej stinëve,
Përtej ndarjeve dritëfikura,     

Ti, vetem eja!



KUJTOHU QË TË DUA

Kur fjalët të luajnë me shpirtin, padashur,
Të lutem, kujtohu që të dua,
Qetësomë, si qetësohet një fëmijë,
Kur frikë ka nga errësira...
Mbamë në krahë, thuamë që s'do ikësh,
Kur fjalët gurë të bëhen,
E nëpër to të pengohem, të rrëzohem...
Kujtohu që të dua,
Puthmi gjunjët e grisur,
Lotët nga sytë që për ty qajnë dhe ndriçojnë,
Mbamë në krahë, siç mbahet një fëmijë,
Dhe thuamë që s'do ikësh!
Çfarëdo të thonë fjalët,
Dëgjo zemrën time, që të gënjejë nuk di,                             Psherëtimat, thirrjet për ty, 
Brenda rrahjeve të saj dëgjo!
Kujtohu që të dua...
Mos ik!


JAM LËKURA E SHPIRTIT TËND

Dashuria për ty e ka fronin thellë në zemër,
Dhe altarin ka në sytë e mi të kristaltë,
Thërmuar është mbi buzët që të puthin pareshtur,
Shkrirë në lumin e vështrimeve,
Që ty kudo të ndjekin pas.

Jam hija jote mbi asfaltin egër të jetës,
U rrëzuam dhe u ngritëm prapë bashkë,
Jam imazhi yt në pellgun e kohës që s'kthehet,

Këmisha jote, lëkura e shpirtit tënd jam.


I DASHUR, MBYLLI SYTË

E di, do të më shteret një ditë përroi i jetës,
Dhe sytë një ditë më si diell s'do më ndrijnë,
E rreshkur do të jetë atëherë lëkura ime,
Si letër e zhubrosur, në duart e kohës pa mëshirë.

I dashur, të vyshkura do jenë nesër buzët,
Që sot ti i puth tërë afsh dhe gjen amshim,
Do të rënkojnë pastaj aty, me mijëra netë,
Që në krahët e njëri-tjetrit ne i zbardhëm.

I dashur, mbylli sytë dhe ngrimë në mendje,
Në muzeun e memorjes ruamë si këtë çast,
Që kur dora ime, tënden të kërkoj në vite,

Nga arkivat nxirrmë dhe puthmë plot me mall...


SONTE DUA TË HESHT

I dashur, nuk dua të flas sonte,
Bota shumë më ka lodhur, më ka munduar,
Me zhurmë fjalësh më ka mbytur.

Sonte kam nevojë të më mbash në krahë,
Siç mbahet një foshnjë që e mund e qara,
Dhe aq të largëta të bëhen të gjitha.

Më ka lodhur bota...
Ditë pas dite me gënjeshtra, zhgënjime,
Fjalë pas fjale të helmët në gjak, me dhimbje.

Dashuria ime, mos u mërzit!
Sonte në kraharorin tënd dua vetëm të hesht,

Jashtë le të rrinë fjalët e zhurmëta...


TI NUK ISHE…

Një lot rrëshkiti poshtë faqeve të zbardhura,
U var poshtë mjekrës që dridhej edhe ra.
Duart e tua, kupolë e ngrohtë, t'a prisnin nuk ishin gjëkundi!

U fryn, u përmbytën brigjet e Nilit të lashtë,
Nga një pikë loti e vetme,
Ashtu si në rreshtat e miteve të rëna në gjumin e harresës.

Vesa jote e butë e mëngjesit
U bë lumë i dalë nga shtrati i dhimbjes.

I dashur, ti nuk ishe gjëkundi me puthje udhën t'ja prisje..


TI ERDHE TEK UNË

Erdhe tek unë me shiun e ngrohtë të mallit mbi sy,
Me afshin e tokës së një dite vere mbi buzë,
Ti erdhe tek unë me përqafimin e ditëve,
Dhe të netëve, mbështjellë në krahët e tu,
E foshnjë u bë largësia në djepin e puthjeve...

Ti erdhe tek unë dhe të gjitha poret e mia,
Emrin tënd thirrën ethshëm nëpër ëndërr,
U zgjuan e në ëndërr ranë ndjenjat përsëri,
Në ëndrrën më të ëmbël, më të madhe...

          Dashuri.

KOHA JONË

Një këmbanë e krisur është koha jonë,
Me gjëmimin e çoroditur,
Që përplaset rrugëve tona pa krye,
Dhe ajrit të firuar,
Hapësirave, horizonteve të ngushtuara,
Ikje...në qindra drejtime.

Një këmbanë e krisur është koha jonë,
Me zërin e grisur,
Që përplaset deteve të çartur...
S’ka faj,
Shpirtrat e berë kurban e marrosin…

E marrosin një mijë e një djaj,
Gangsterë, hajdutë, pushtetarë…
Një mijë e një djaj që ndrijnë në ar.

E marrosin njerëzit e uritur që ecin kokëulur,
Rinia me sytë e pashpresë,
Lugët boshe në buzët e kombit,
Të vdekurit e pavarrosur.
Koha jonë,
Një këmbanë e krisur brenda zemrës sime,
Me vibraton e çartur,

Nëpër ethet e ikjes

ENEA

Ku t'a vë atdheun tim të prehet, ku?
Një grusht dhé mbaj në grushtin e përgjakur
Dhe tymin, përzhitjen e zjarrit 
Mbi trup, mbi flokë…

I sfilitur endem nëpër shekuj lufte...
Unë, Enea i Trojës së djegur,
Unë, një bir i mbetur pa atdhé…

Ku do t'a vë atdheun tim të flë,
Që zemrën mos ma mbysin lotët e mallit?
Një grusht dhé mbaj në grushtin e përgjakur

Dhe i brengosur endem nëpër shekuj, i plakur

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire