Kaltrinë Uka |
Ç'u hapërdarë çjerrë e shpirtit
sëmbim i dha andrrimi për ty...
si s'u gjend kurrë mes fjalëve tua t'bukura
Më çmenden sytë kur të shohin
gllabëroj ftyrën tane hanë e trupin tand
statujë e bukur
qi tinëzisht ta përthekon era...
E lumja erë!
Yjet - miqtë e mi t'dëshirave
prekjet e lutjeve t'mija klishe
m'i shkëputin andrrat t'bahesh mbramja jem e zhurmshme
me shandan qirinjsh e nji trendafil
Zaptues i pabujshëm i tana dëshirave...
se si të çelë nji lule në buzë kur buzëqesh!
Ah! Ç'neps të madhë kam për ato buzë!
Ç'dëshirë të madhe m'i marrë erë asaj lulje! .
I panjohun
M'fal, i panjohun
s'kam menu qi zemra s'ka me ditë m'u mbrojtë
e dashnia ka me fillu me pulsu
veç prej nji casti qi t'pashë
I panjohun,
unë patjetër qi duhet me majt' n'krahë nji mëkat
ferri s'djeg ma shumë
se qi po djeg kjo ndjenjë mrena trupit
je dashni e dëshirume
neps i madh qi du me shujt
buzë për buzë
trup për trup
le t'më dënojnë e marrojnë Perënditë;
po nëse dashnia asht mëkat
atëherë njeriu vet asht mëkati ma i madh...
Menoj me vete:
kush s'dëshiron me kanë e vetmja dallëndyshe n'sytë e tu
qi i ke si nji hark ylberi e qielli vet?!
M'fal, i panjohun
po fluturat qi po çmenden n'bark
ma nalin frymën
dhe... edhe në u qujt mëkat kjo dashni, do mëkatoj patjetër
ndiej qi s'kam frymë qi m'ban t'plotë pa tanden
dhe as s'kam andërr me lan' përgjys..
Të dashunoj sa gegnishten
Nadja kur zbardhë më zgjon n'kamë
se t'nij zânin tu m'thirr
n'emnin që ti ma ke vnu,
e më rr'nqeth,
me sytë gjys-qel, me floktë e shprishun,
i hapi veshtë katër
me t'ni tu m'thanë: Mirëmengjesi e dashun!
Në oborr ku
natyra n'sofrën e saj
na mledh mu e ty bashkë,
me pi kafen e zezë n'filxhana t'bardhë
e n'sytë tonë me mat dashuninë
me hijen e takimit t'parë t'çmendun,
ksaj dashnie t'zjarrtë mi fry e mos me lânmu nâl
me gjerdhe t'forta ket dashni
t'ambël me rrethu,
me ru si gegnishten
si e run Veriu thellë n'zemër,
ama, me t'fol veç unë
e me t'thanë me zâ e pa zâ
tana heret:
të du,
të du,
të du.
Kthehu për hatër t'hanës
Me netë t'tana nuk po flen rahat hana
pa neve rojtarët e saj,
s'po bjen n'herezi ma e m'sheft mas reve
tinëz t'lumtun me na pa
veç hajde e shihe prej ktu se si asht ba, asht dremit...
Mu malli po m'rigon si shi e po rri mas grilave,
n'andrrat syqel t'mesnatës
n'apogjen e rreme po luhatna
po s'po asht boll
durt mikluese me përvinu kadal ftyrën tane
nuk po munen me durue duerkryq
Natë orgjie po baj n'nimfen teme
sarhosh n'theqafjet drejt mirazhit tan po eci
tafti-bafti! edhe t'koft zgrip i jetës,
imazhi yt joshes po m'babëzit
teslim po bahna se m'asht sekrecion i trupit
menzi hana po m'nal vikamen harbute
kur po shuhesh si meteor
pa mujt me t'nanurisë si du un'
Kallamishte jam ba pa ty, kurm
suvalë kujtimesh që po m'marrin...
tangjent që m'prek n'pikēn tem t'dobt, n'ty
E vetmja hana po kuis kit eremit naiv
e as nuk po kotet
po m'ep stërkalë shpresash që kem me ken bashkë
tymtajë po ma ban menen
shtërzime pa dobi, për mu t'pashpresë!
S'di edhe sa do mahet stoik
ky shpirti jem maraz pa ba naj hata
prej mungesës tane napalm...
Mos e shti n'mëkat hanën me ba alibi t'rreme për mu
kthehu për hatër t'saj.
(Poezia triumfuese, Cmimi i parë “Ibrahim Rugova” , në manifestimin mbarëkombëtar “Ibrahim Rugova”, organizuar nga Klubi letrar “Podguri” – Istog
Dhembje
Prarim i meteorit thahet në kalivare
vjeshta nuk lulon më krizantemë
farë e dashurisë harron mugullimin
qiell i zbrazët - lejlekët mbi re flejnë
Mëngjesi nuk fekset diellit farfuritës
nata shtrydh yjet - puçrra irritim
hëna shpërthen vajit të akneve
rrokjet e lotëve thajnë jasemin
Dëshirat beftë shkumohen suvales
stërkalet e shpresës i tret kripa
deti merr trajtë dhembje
bregut vetëm merrë ngjyrë klithma
Sarhoshët enden dehur në theqafje
pijnë helmin në gjinjtë e shisheve
lutet djalli për një kafshim
engjëjt para ju prijnë ikjeve
Penel i stinës nuk lyen më kohën
lutjet rruzare këputen në mes
hahet mollë nga dorë e Eves
ngjiz jeta - njeriu vdes
(Poezi fituese e Cmimit të dytë, në manifestimin “Fjala e gurit” nga Klubi letrar “Latif Berisha” – Vushtrri)
Aucun commentaire:
Enregistrer un commentaire