lundi 2 décembre 2013

Cikel poetik nga Dije LOHAJ

Dije LOHAJ
PESHA E FJALËS






Dije LOHAJ



PSALM PËR LIRINË
 


Me këmbë të stërlodhura
Zhurmojmë
Në këtë zgavër të errët
Të lirisë,
Nga kataklizmi i kohës
Gulçojmë.
Dhe, mëkatet na ndjekin pas,
Me kurmin e grisur...

Nëpër vitet e rrebeshta.
Me frymëmarrjen
E stërlodhur shqip,
Me gishtërinjtë e mekur
Shkruajmë plagët
Në lëkurën tonë të regjur...
Pakoja Ahtisari,
Haga,
BE,
Uashington...
E ata faniten
Të përjargur nëpër jetën tonë,
Pështyjnë në idhujt tanë
Dhe pamëshirshëm
Na shungullojnë
Derisa liria të ngjizet,
Tek globi zë e dridhet.
 
 
 

ETHET E LIRISË

 

Pas vajeve të trishta,
Mortjet e shpresës
Gërryejnë eshtrat,
Shpirti këlthet:
O zot, ç'po ndodh me ne?
Klithin zemërvrarët,
Duke ftuar ditëvdekjen.
...

A thua, na kanë kafshuar hienat?
Na copëtuan
Dhe copa-copa na e bënë jetën.
Oh, mish e mushkëri
Ku i kemi?

Dhembje, flakë e zjarr.
Shikimi verbohet
Në sytë tanë,
E ne çuditërisht heshtim
Shohim se si
Hienat hiqen zvarrë.

 
NEKROLOG
PËR POETIN A(BDU)LLAH

Sot gjethet e pemëve,
Të zbehta valëviten,...

Me Zot e Allah,
Me pendën e fundvjeshtës,
Në të fundmen muzë,
Me fjalët plot lirikë,
Me zemrën plot lot.

Sot po shpupuris vargjet nëpër vëgim,
Të të gjej këngët e panjohura,
Unë e pashpresë,
E ti vegim i madhërishëm,
Si diell nëpër shkronjat e tua,
Që i jep krah njerëzores
Kuptim bukurisë nëpër kroje,
Me trastën plot vdekje.

Ti po bridhje duke mjellë vargje,
Me shkronja prej gjaku,
Me fytyrë të mermertë,
Rraskapitur në vargun tim,
Pushon në lirikën e fundvjeshtës,
Pushon poshtë kopshtit
Me muzën prej smeraldi.

Si gjethi,
I këputur nga gjethi im
Në të gjitha stinët
Por, asnjë rrugë nuk është e gjatë
Nëse në fund të saj të pret diçka e dashur,
Si kënga ime,
Me kollën e Migjenit.
Shiko më shumë

 

NË RRUDHAT E NËNËS


 E trishtuar
 Shoh thinjat e flokëve të tua,
 E kalamendur gjurmoj
 Fijeve të tyre
 Secila fije lidh vitet e jetës sime
 Me brenga të derdhura
 Viteve të rrebeshta.
 Kam frikë t'i prek me dorë
 Oh, kam frikë
 Mos rizgjoj mendimet e çlodhura
 Në rrudhat e tua
 Ugare të një are pa fund.
 E sfilitur ec me farën e jetës në dorë
 Ta hedh në çdo brazdë,
 Unë bujku i keq,
 Që nuk mund t’i jap shpirt vdekjes,
 Në fund të çdo jete.
 Kokën vë në prehrin e nënës,
 Në atë palë dheu të atdheut tim,
 Se kam mall për ato duar,
 Të më ledhatojnë
 Me tëra vrazhdësitë e shekujve.
 Dhe biem në gjunjë bashkë
 E puthim farën,
 Ujitur me qumësht nëne.

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire