lundi 25 novembre 2013

ME RASTIN E DITËLINDJËS : RAGIP SYLAJ



Ragip  SYLAJ
PESHA E FJALËS




Ragip SYLAJ

 
LETËR RAGIP SYLAJT NË SLLAPUZHAN

 
Merre me mend të ecja gjurmëve tua
Do të isha më afër plakjes

Të ecje udhëve të mia
Do të ishe më afër përflakjes

...
Të ishe brenda lëkurës sime
S’di sa do ta doje veten

Të isha brenda qenies sate
S’di sa do t’harlisesha për jetën

E, kemi të njëjtin emër e mbiemër
S’di cilit na bie i ngushtë e cilit i madh

Kemi thithur të njëjtin ajër
Kemi soditur të njëjtin peizazh

Të isha unë ti, unë s’do t’isha unë
Sikur t’ishe unë, do t’ishe dikush tjetër

Ti do t’ishe më i ri se vetvetja
E unë diçka më i vjetër

Të isha unë ti
S’di në do t’isha i dehur a esëll

T’ishe - unë, midis librash e dorëshkrimesh
Do të humbje si n’mjegull

Kur i marr me vete katundin vegimet
Ty të mbeten veç ëndrrat kujtimet

Kur i merr me vete gurët e malet
Mua më mbeten veç përroskat e varret

Kur kam unë etje, ti mund të kesh uri
Kur dashuroj unë, mos vallë ndien mëri

Mos je ana tjetër e diellit tim
Apo vetëm hije e lutjes për shpëtim

Këtë letër po e shkruaj unë apo ti
Njëri gjakftohtë tjetri në trans

Letër Ragip Sylajt në Sllapuzhan
A rëtel pigaR tjalyS ën nazhupallS

Dy njerëz brenda të njëjtin emër
Si ndër të njëjtën çadër t’mërzisë

Si dy gjysma ëndërrimtare
Si dy gjysma t’vetmisë

Njëri mund t’jemi ylli n’orbitën e vet
Tjetri vetëm ishull që pranverën prêt

Merre me mend të ecje gjurmëve t’mia
Do të bëheshe krejt si unë

Të ecja gjurmëve tua
Ndoshta s’do të mbetesha në furtunë

Merre me mend të ecnim një shtegu
Me t’njëjtën etje, uri e brengë

Do t’ishim ylber me vetëm një ngjyrë
Me t’njëjtën pendesë me t’njëjtën këngë...

(24 nëntor 2013)
 


LETËR NJË MIKU NË PRESHEVË

Kam droje për Ty
Kam frikë për vete
Se një thikë helmi
Na rri ende ndërmjet
E kerberët e kufirit

më ndjekin nëpër ëndrra...
Ndaj s’mund të vij

Ai peizazh lirie
Sa lulëzon – venitet

M’thuaj miku im
Bukuria a përsoset
Ajo lartësi kozmike
Ajo vlerë mitike
Apo vetëm përflitet

Unë atje - si fjalë
Ti këndej vjen i gjallë
Të lutesh për trungun
E t’marrësh uratën
Unë - te tempulli i fjalës
Të mos e marr-jap mandatën

Ndaj po pres të përsoset liria
Apo një diell tjetër të lindë në mua
Kur kufomën e frikës ta hedh në lumë
E atë thikë djalli ta thyej në gur
E n’mes një gjaku t’mos ketë më mur

Ndoshta më nuk burgoset liria
Ndoshta ëndrra më nuk prangoset
Por druri i shqetësimit tim po rritet
Dhe durimi im po plagoset
Pse njeriu nuk përsoset

(26 gusht 2012)






 






Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire