Arsim KAJTAZI
ZEMËR NDRIÇUESE
1.
Ishte ngjizur nga dashuria!... Nuk kishte ardhur në Jetë as para kohe as pas kohe...Ishte gjithçka me kohë dhe në kohë... derisa ishte bërë gati të vinte në jetë dhe të pikte nga Zemra e madhe e Nënës, që e priste me dashuri Lindjen e Fëmijës... e nuk e lodhte mendjen nëse ishte Djalë apo Vajzë, por e ndjente se ishte frut i dashurisë...
2.
Me kohë e në kohë kishte ardhur në jetë, me marrë e me dhuruar jetë!...
3.
Ishte rritur e mësuar midis Zemrave Ndriçuse ku dhurohej e premtohej dashuria sipas besimit “Zemra e Zemrave”... “Zemra-Zemrës” “Besë- Besë me Zemër”... E Jeta i hapej përpara...e Udhë e Udhëkryqe...e...
4.
E ecte Udheve që i thoshte Zemra, dhe çdo gjë e merrte me Zemër...E kur i thoshin:
„Je Zemra e gjithëkujt!...“ kjo e bënte edhe më të etur që të bëhej Ujë i pishëm në rrjedhë për të eturit...
“Dhuro Dashuri ndriçuese me Zemër, Ndriçim i amshuar do të bjerë mbi Ty, Zemër ndriçuese do të mbetesh në Terrin e mugët të zemërngushtësisë krekosëse, që mbjell vetëm nevri, duf të verbër dhe të Keqen e Madhe...Kryeneqësinë që mbolli Vdekjen!...”
I fliste urtësisht Zemra e Zemrave dhe e mbëltonte në Mëndje dhe Shpirt që të frymonte me Urtësinë...
5.
E ndjente thellë Dashurinë e Krijuesit, Nënës dhe Babait... dhe dashuirinë ndaj tyre e kishte rritur derisa bëhej edhe vetë gati për të lënë trashëgimtarë...
Në Kohë e Përtejkohe nuk mplakej, rrezonte e rrezonte Nderim, Mirëkuptim... Rrezonte si Agu, deri në Buzëmbrëmje dhe, hej o hej, përtej Natës së mugët...përtej Krekosjes e Kryeneqësisë që derdhte Errësirë e mbjellte Verbëri...
6.
Fanar në Breg të Detit ishte ... shpëtonte Anijet me Kapitenë e Detarë të humbur në Detin e tërbuar të jetës, në Detin e tërbuar të ankthit, atëherë kur dallgëzimet e furtunshme në Natë të dukej se do të përpinin për të dhuruar vdekje... atëherë ai Shpirt ndriçues fjafonte të tregonte Udhën e Shpresës Shpëtimitare...
7.
Dhe ishte Shiu që bie në pikë të Veres përcëlluese, që shkrumonte gati çdo gjë mbi faqe Dheu, ishte Shi Shprese Etjes së Përjetshme për Jetë, për Urti, Paqe e Liri... dhe atëherë nga Hiri i Tokës së shkrumuar niste sërish Jeta... Shi Etjes së Madhe ishte, me Zëmër bilur, me Zemrën ndriçuese... Ishte Ujë Frytnues ... Tokës së etur ushqente Rrënjet e Jetës për të bërë e përtirë Jetën...Ishte Ujë i pijshëm edhe me sy mbyllur...
8.
Zemra e Zemrave... guximshëm ballafaqohej me të panjohurën, atë Errësirë të mugët, dhe zhdaraviste ato përfytyrime e ëndrra të këqija dhe në Udhëkryq midis Lakmisë verbuese dhe Dashurisë flijuese e zgjedhte atë që Zemra guximtare i thoshte, Guximin për të dhuruar Vetveten pa hamendje... dhe bëhej ashtu si ia donte Zemra guximtare...
Robërimin me Terr Zemra e nuk e duron ... ndriçimi i saj një ditë do t´ia kallë datën e mandatën... Zemra ndriçuse është një Këndes në Agshol, që thërret dhe dhuron Agun! Në të është e Kaluara e sprovuar e Tashmja e jetuar dhe e Ardhmja e përfytyruar deri në të Mundshmën e amshuar!...
9.
“Pushoni në mua në gji, udhët i kemi kah Drita jetëdhënëse!”
Andaj , është, dhe do të jetë, Zemra e Zemrave, Zemra ndiçuse, për jetë e mot, deri në Amshim!...
Zemra e Zemrave është e lindur, e rritur, e kalitur me shëmbëlltyrë të Krijuesit të amshuar... Zemra që dhuron, nuk mendon a merr apo i kthehet Dashuria rrezuese!...Është e bindur se Fara, e Pema e Jetës, janë Dashuri, janë Fruta Dashurie në Kohë e Përtejkohe...
Amshimit...Mbëlton Amshimin!....
Deidesheim, 11 mars 2009
Aucun commentaire:
Enregistrer un commentaire