mercredi 17 avril 2013

BUQET POETIKE NGA MENTOR THAQI

Mentor Thaqi
PESHA E FJALËS


Mentor Thaqi




DESH THEVA DHËMBËT



(përshkrim plot shqetësim)
...

Ngushticës së Kotorrit
me kordelin mbi supe,
në xhybletë dhe këmishë
me shkrim arre,
shpata në çarje rrezesh,
e gatshme,
e çveshur
në dorë ngjeshur.

Naltmadhnia e saj
Teuta,
me një hop
dhe para na doli,
foli
u dridh trolli!

- Hë,
deshtët rrugët e botës,
shumë pari
pa mbretëri,
Rizanin tim
e rrou dreqi
me të birin ...

- Paj, nuk ...,
deshta ti thëm
sa shumë më dhëmb
në shpirtë ai vend.

- Ajde, priblizhite sa kollom! *
Ajo zhgëndërr e vrazhdë
që desh theva dhëmbët
në shtrëngim të zorit
ngushticës së Kotorrit!

Po më zi
a ka më,
he nënen, llojin
edhe sojin, hë?!

Iknim me nxitim,
pas, pluhur e tym,
drejt Tivarit,
Legjendës së Varrit ...

...

Mentor Thaqi VS., 20.01.2011

* Afrohuni me makinë! (sllavisht)




















EV ATDHE, EV


Heu AtDhe,
t´bëj be,
fajtori je ti
me ëmbëlsinë tënde
për vuajtjen time
n´ktë rrugëtim dhimbjeje!

Po kujt ia merrte mendja
se do zeherlisesha sonte
nga kapërdimja e helmit
të quajtur realitet?!

Eh, trup, herë rrotull
trojeve t´mia
që i pata e s´i kam,
në cakun tim synim
për hater vatani.

Pasha atë fjalë nderi
do digjesha edhe midis bote
me xhepin njësoj
por, syrin pa lot
në ecje nëpër mote!

Ani AtDhe, ani,
fajin e të tjerëve
e morëm vet,
një lloj marrëzie
për inati historie!

...

Mentor Thaqi VS., 20.01.2011






LIGËSI MOTI


moti i lig
përcjellës i ftohtë
kah ditë e ngrohtë

të shtatë lëkurat rezervë
mi myku
pa e pa dritën
as ditën

kocka e nye
lidhje t´pa krye,
e ndjejnë t´mbyllur
plot dhimbje t´lidhur

pranvera
fshehurazi në ardhje
nga errësirë mjegulle,
zor të del n´zbardhje

optimizmin pozitiv
t´paktën
k´të të dielë,
keq ma nxiu
ky mot i lig
që dhe ëndërrat vjelë
si t´ishin  rroba në vig

imvëlla poet
ankohet në atë shi
që i mbet n´sy

çuditërisht,
motligësi atje,
motligësi këtu,
e ngrohtësi
ku?!

Mentor Thaqi   VS., 07.04.2013



P.S.Poezitë janë marrë nga faqja e FB te poetit Mentor Thaqi.
Zgjodhi  për ju Agim Drenica


Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire