Elvira ZENELI |
RIKTHIM
U bë kaq kohë që çmendurisht
Ne duhemi vetëm në shtratin e Fjalës,
Duke ujitur pemën e Dashurisë së frikshme!
Pikëpyetjet e pikëçuditjet
Ngrihen si shkëmbinj në mure kështjellash
Ku portat i hapim vetëm ne të dy!
S'kanë fund "trimëritë" tona
Në betejat virtuale
Kur ndeshemi vetëm me njeri-tjetrin
E ka veç të plagosur
Që rilindin sërish,
Të etur për plagosjen e radhës!
... Ja që qëlluam të jemi njerëz
E në duar na thërmohet Dashuria,
Po dije
Se në një gjë jemi krejt ndryshe:
Une qaj si femër për Ty
E ti qan si burrë për Mua!
Humbjet e shpirtit
Çdo ditë paskan lindje-perëndim!
Në mes tyre
Na mban gjallë
Një Rikthim!
VETËRRËFIM
Ne të dy ndajmë çdo mëngjes të njëjtin mendim,
deri në mërzi!
Kur vjen mbrëmja,
nën sharmin e saj ndajmë të njëjtën magji!
E ndjen, i dashur,
që paskemi të njëjtën kimi?!
... Sa herë që ti fal nxitimin tim naiv,
si burim eksitimi,
aty unë përmbytem në djersën-det të pasionit
ku me fjalët pa doganë
peshkojmë njeri-tjetrin
dhe bekojmë të uruarin grep!
...Oohh, sa ngjajmë,
i dashuri im,
edhe dhimbjet brinjë më brinjë
i kemi të njëjta
tek lëvizim gishtat në tekat e unit
e peshat na kthehen në pupla
e padashje bëhemi fëmijë!
Të besoj me gjithë qenien time prej femre,
gojë më gojë,
trup më trup e shtrat më shtrat,
si një verë e kuqe që kthehet me eks!
... Ne dimë të ulemi bukur dhe në fronet e tavolinës
ku soditim njëri-tjetrin aq ëmbëlsisht,
në pritje të gjuhës së trupit
që do shkërmoqet më pas në flokë të kokoklepsur
në ëndërrat shtratore!
... I dashur,
më ke bërë më humane,
më kristaline,
më çmendurore!
Kështu dua të më shohësh,
të më ndjesh,
si një teh shpate
që ciflat e bombave ose t'i operon e t'i nxjerr,
ose të vdes!
EJA TA SHUAJMË KËTË URI!
Gjithnjë më thoje se çudia në buzë
Të shfaqet si nur
Që përshkëndrit një femër si unë
Në kërkim të një mashkull si ti!
Edhe pse e zënë në çark,
Unë jam drenusha
Në kërkim të një dreri
Që dua ta plagos pa e vrarë
E pastaj ta shëroj vetë!
Nuri i buzëve të mia të përvëlon
Në agimet e mëngjeseve
Kur liria kërkon skuta të panjohura
Te një femër si unë
Që telat e pendimit i këput pafund!
Mos e kërko një femër si unë
Që të ndjek
E të persekuton
E të shkund!
Se një femër si unë
Të lë të shkosh,
Të lë të vish
E më pas të dënon me dashuri të përjetshme!
Kthehu, mall i shpirtit,
Lëre këtë dashuri të rrjedhë sipas gravitetit,
E marrtë djalli një femër si unë,
Djalli e hëngërt një mashkull si ti!
Eja, të lutem,
Ta shuajmë këtë uri
Që mes nesh është ngritur
Si lubi!
JAM QETËSIA PARA STUHISË!
I dashur,
Si ta them që edhe kjo mbrëmje
Më doli ziliqare?
Dashuria ime ende ka formën e shpirtit
Me duart si një kosh i thurur
Duke mbledhur copëzat e zemrës së thyer!
Ruaji të gjitha, i dashur!
Ato marrin frymë në duart e tua
E gjatë do jetojnë!
Mos m'u inatos
Nëse asgjë nuk është ashtu siç e do!
Kurorat e lisave të gjelbër kam mbi krye
E flladitem nën hijen e tyre,
Më japin qetësinë e bukur
Që plas nën hijen e dashurisë,
Teksa hëna kalon në udhën e saj pranë meje.
... Ja, një yll ra
Si dëshirë e fundit
Në këtë stinë të nxehtë vere
Ku vapa përvëlon me ritmin e valëve të detit.
Unë notoj mbi ujë
E hyj në bujtinën time të dashurisë
E vetme,
Aty fle,
Ndërkohë që ora,
Tik-tak,
Si zemra e gruas në duart e burrit
Shkon udhës së kërkuar,
Pa u prekur nga askush.
E di!
Jam bërë e tejdukshme,
Prej ajri që bëhet erë,
Jam grua e dashuruar deri në pafundësi
Që pret të bëhet stuhi!
Aucun commentaire:
Enregistrer un commentaire