Hyrije JUSUFI |
Sonte
Dua të jem me ty e në ata sy ta shoh universin
Sonte merrma buzën të mos përpëlitem tokës
Dua me ty të ndaj fjalën, qeshjen e zënkën time
Sonte dua të të ndjej,
dua të të shijoj aromën pranë
dua të të prek me gjuhën e shpirtit deri në pafundësi
Sonte dua të gugat nëpër natën nën hijen e hënës
Dua të të përjetoj nëpër fijet e flokëve shprishur
Sonte dua hënën rrugës ta përcjell deri tek yjësitë
Në përqafim të më përkëdhelë rrezja e parë dritëhije
Sonte dua ta ndal kohën të kem një natë të rrallë
Dua drithërimën e zemrës t’ia ndal tiktaket
Sonte shkëlqimin e syve dua të kem fanar qiellit
Ah seç dua sonte të jem e paparë
Zjarr, yjësie
*
Sonte më lëni në dehjen e natës sime trazuar
Po, po, dua të ulërij e në qiell të mbërri jehona e zërit
Sonte dua të vallëzoj si e harlisur në mallin tim prush
Pas daulles djallit fatin t’ia mallkoj deri në pafundësi
Sonte dua fort të puth e kokën ta fërkoj butësisht
Dorës duke zbritur trupin ta lëmoj me afsh shpirti
Sonte dua dhomës të vrapoj si e çmendur duke qeshur
Deri sa për dritare shoh borë paska reshë bardhësi
Sonte marrë daullen të luaj, ta zgjoj nga gjumi qytetin
Ti s’bëre gjë për mua, por veç se për veti lakmove
Sonte përjetim i thellë seç në ëndërr isha zhytur unë
Të gjitha kujtimet pjesë-pjesë i grisa si gjethe i hodha
Ah seç të bartin ëndrrat det-qiell pa pra perëndimit tim
Po e them se vargjet paskan edhe krahë shtegtimi majave
Shkronjat seç po folkan, s’u bëkan thërrime brenda shpirtit
Poezi në vargje e të bukur tregim që rrëmben universin tim.
POEZIA IME LE TË JETOJË
Asgjë nuk është e përjetshme
Më tha mikja ime e vlerës së artit
Bota nuk sillet rreth një njeriu
Korrigjoi shikimin tjetra me maturinë e saj
A seç nuk t’u thanë sytë - foli konsullorja
Përpiva jargën
Ngrohtësia e shpirtit avulloi lotin
Afër meje miku i vjetër (dinte më shumë) premtoi
Miliona vargje më tundën
Nxorën lotin e famshëm mjekimi
Hajde e çrrënjose shpirtin tim
Ti melodia më e bukur me nota të arta
Thërras pikturën më të shtrenjtë të shitur në tregun e Universit
aktoren e famshme që trupoi tepihut të kuq
Eja
Poezinë time
Vargjet që nga aty fill zunë
Nuk dua t’i ngulfat
Le të kenë jetë
Të lutem
Mikja ime
VEÇ TRI DITË
Kur atje mbërrimë
Mes bjeshkësh ujë
Pishë e diell
Në ne shkriheshin
Me vullnet e shumë dëshirë
Ndalëm shiun e bëmë diell
Të tërat një emër
Këngën në zemër
E në emër shumë përjetime
Një këndvështrim
Në thjerrëzash shikime
Darkë e tortë së bashku çajin
Në ngrohtësinë e shtëpisë me dru
Në miliona fjalë po ta përshkruaj
S’ka mundësi pikën për ta vënë
Melodi nga buzët tona
Buzë liqenit mrekulli
Për të festuar në gjuhë të nënës
Kurban do bëhesha në Itali
Kujtimet mbesin të bukura përjetime
Do kujtohen plot nostalgji
VERË NË PRISHTINË
Dje këmbët nuk me ecnin trotuareve gri
E bëra për kafe deri te kurrizi honepsur
Përbri shtëpisë kërkova ndihmë nga mjeku
Diagnozë “urgjencë” mbi shpinë me vete
A të besoj a të hedh shportash letër grisur
Në dhomën time kafshim buzësh sakatuar në mendime
Të ikë nga vatër, e bukur shqipja ime me stre hë djegur
T’u besoj të huajve larg atje, ku toka nën këmbë me tret
Ku nuk frymoj kurrë siç dua në ajrin që thith si vreri
Po pse më dhemb mbarimi yt kaq i prekur kaq i trishtë
O vendi im mjerim që të gërryen si krimbi drurin e fjetur
Dalëngadalë shkolle e spital loti më pikon faqes pikëllimi
Shkruhem me mikun në humnerën që gëlltit shpirtin tim
Në cilën faqe të librit të prehem si fletë e vyshkur vjeshte
Kush nesër do të bartë këtë faj
Mbi atdheun e braktisur zogjsh
NË PRISHTINË ZEMRËS I FLAS
Kur vij në Prishtinë drithërime zemrës ndjej
Eci me nurin ballit përtej dritës më shkëlqen syri
Hedh hapat ngadalë pllakave mermeri rend takash
Aty shesheve shikime njerëzish të njohur takoj
Rreth shtëpisë aty, ku frymë marr si dallëndyshe
Pak më tej zbërthej një kohë të rinisë sime motesh
Studentë gjithandej zgjojnë nostalgji shpirtit
Në qytetin e dijes... fluturojnë ëndrrat rinore
Zemrës i flas në thellësi heshtje për vitet e shkuara
Te konaku për kafe shfletojmë kujtime të vjetra me miket
Nganjëherë më dalin melodi këngë të lehta buzëve
Ato që më shoqet e korit “Lyra” i këndojmë
Më rrjedhin vargje shpirtit si ujëvarë shkëputur mali
Me dëshirë do t’i ktheja në melodi Prishtinës sime
Gjallërisë së saj
Ndjenjat e fikura ndezur mallit tim Bukurisë plot dashuri i përkushtohem përjetësisht
E dritë mbushur qielli yjtë sa herë preku këtë tokë
NJË SERENATË
Neper nate dritë yjesh
Ndezin shpirtin e vetmisë
Rrugëve të shkreta e dehur
Një serenatë djeg qiellin
Diku larg dëgjohej kjo melodi
Vret qetësinë e natës sime
Në memorie kristalizohen tingujt
Hyrije
Nuk po i dergoj më të mirat, por këto i kisha afer!
GRUA
Ti ngrihesh në mëngjes përshëndet gëzimin
Ti mesditës i falë shumë dritë
Ti mbrëmjen e injoron
Për ti futur lodhjes frikën nën eshtra...!
E
Mëngjes
Drekë
Mbrëmje
I bënë të qajnë për ty
Buzëqeshja yte sashtrisë
Ti
Gjinia e bukur femër ...!
LARG
Nënë edhe këtë ditë ndërruam fjalë
Ti nga karentinë e unë poashtu
Më pyete çfarë bëra sot ...?
Kisha pritur shuhmë gjatë para poste
Aty rreshtuar një nga një dy metër vare largësie
Aty ku pritnin të jepnin nga djersa e tyre
Si me dhunë
Postës së vendit ku po marrë frymë
Askush , nuk flitnin
Hanin buzët
Bebëzat ngjiteshin qiellit pa ngjyrë
Si të ishte fshehur shpëtimi...
Të thash - jam mirë nënë
por më duket ajo është tretur që moti
Po thahet bashkë me lulet e pranverës
Pragut saj mallkuar ...!
Në shtëpinë ku bëra orët në ndihmë të tjerëve
kumtuar lajmit , kovid kishte zgjedhur disa
Jam mbyllur qe sa ditë
jo për mua
se nuk i frikohem kurrësesi
Le të vjen kur të donë
Për Tokën që e dua
do të përbija virusë që shihen e nuk shihen
Për ty ...
E çfarë të them nesër
Kur shpirtin ma kanë hidhëruar
Të lutem
Rri mbyllë mes muresh të ftohta
deri te largësia nga unë
Për dy metër vend varri...
Ti mbyllë linjën me fjalët
Zoti është një....!
Të dua o nënë edhe kështu me plagë ...!
Do bëhem dallëndyshe të fluturoj
Qiellit tim ti jap ngjyrë
Të shtrëngoj fortë
Paçim një gisht të bekuar mjekimi
O diell !
IKONA E KËNGËS
(Nexhmije Pagarushës)
Kush tha se yjet shuhen qiellit të Dardanisë
Bilbili përhap kumtin e mirësisë mëmëdheut
Tingujt prekin aortën e zemrës së dëlirë
Zëri që i buzëqeshi si zog pipthave të qershisë
Dashurisë plotë begati shpirti përtej resh
Bebëza e rrezes së diellit këtë janar melodie
Ushqeu nota e fjalë në simfoni shpirti ndezur
Male e kodra të bukura mbush tinguj valsi
Në zërin tënd zgjohen ritmet e jetës universit
Legjendë e gjallë mbetesh në trungun e lindjes
Mos vallë të ftuan duartrokitjet e përhershme
Melodia e bilbilit rrugëve të kombit u derdh
Ngjyrat e zërit tënd dhembja e gjyshit trojeve
Bareshë maleve imazh i gjallë përjetë qëndron
E shkrirë në lotin e dhembjes syri qerpikut
A do të ketë Prishtina yje që ndrinë pa ty
Dhe shkuarjet e ardhjet e dallëndysheve
Zëri yt në gjerdan do prehet muzeve të poetit
Loti do pikoj nga qielli përtej diellit dritë Ikona
Për të freskuar ballin e bariut fushave të Pagarushës
Vallja e vajzave le të jetë trashëgimi yt bilbil i këngës
AROMË KOHËS
(Hallës Hasije)
E dashur më thirre
Si shumë herëve tjera të kuvendojmë
Më udhëzove me dëshirën e shpirtit të dëlirë
Fjalën shkollë ende se harrove
Me ty do të jetë deri në varr
Dëshirë e thyer e rrugës së prerë
Të qenit grua në tonin vatan
Lexove poezinë kushtuar babait
Të mërzita me gjasë
Ty që aromën e tij e bartë
Të mirë e të dashur i imi gjak
U ktheve prapë te shkollimi yt
Te ajo ditë e mallkuar kur të ndanë
,,Ti nuk di gjë’’
Të thanë
Të varrosën së gjalli
Fëmijë, nuse e plakë
I njëjti varr
Të shkurtuan me gërshërë rrugën e dijes
E shpirtin ta bën copë-copë
Sa here që të shoh moj hallë
Më dhemb i freskuar i njëjti vendim
E kërkoj ti jap arsye
Ti jap pak dritë hijes
Nga ti kam marrë çdoherë fuqi
Ta quaj vetën me dinjitet grua
Të eci shtigjeve edhe kur gurishte janë
Të zgjohem rishtas sa herë marr në thua
Por më mbetet peng sot e kësaj dite
Pse nuk kam fuqinë që dua
Të vras e varros
Mallkimin e të qenit grua
Në sytë e tu të zgjuar
Marr shembull diturie
Në krahët e tu lindi dhe njëherë
E me bisht të syrit shohë vendimin e gjyshit
Krejtë zymtësinë e kohëve që ju vranë
Pastaj
Vlon i papërmbajtur një vrull e një mall
Të mallkoj kohën me të vdekur e të gjallë
Ti hapi shteg të ri dëshirave të mëdha
Ti thyej vargojtë që ju vranë
Të ndryshojë kohën
Të mbjelli ara
Me dije e dritë siç ishit ju
Të korren nga duart e femrave tona
Të ndriçojnë brezat
Edhe njëherë nga e para
Për ty hallë e dashur
Për ty mish e thua
Borxh i shpirtit të sfilitur
Dhimbje në ty e mua.
Nga libri i parë "Kthinave të jetës"!
Aucun commentaire:
Enregistrer un commentaire