vendredi 5 avril 2019

Ragip Ramaj - Buqetë poetike

Ragip Ramaj
PËRQAFIMI I ATDHEUT

Sonte i kam duart
më të gjata se kurrë.

I zgjas mbi fusha, male, dete
e përqafoj atdheun.

E puthi në faqe
dëgjoj zjarrfikun¹) e prushit.

Shuaj blozën e buzëve
sa shumë kishin zjarrmi.

Lundroj në detin e mallit të tij
drejt Kepit të Shpresës.

Me duart e mia të gjata
sonte e përqafoj atdheun.

________________
¹) Zjarrfiku - Zhurma që lëshon prushi, gaca etj. kur fiket me ujë, lëng apo mjet tjetër.


LIRIA E KOSOVËS I HA LUFTËTARËT E VET

Pas rrebesheve të shfrenuara
me lumenj gjaku dalë nga shtrati
mbi fusha, male, gërmadha
rigojnë rreze Dielli
nga qielli i vrarë i Kosovës.

Liria e Kosovës nuk është si liritë e tjera.

U nis kur u nis shekulli
(nuk) mbaroi kur mbaroi shekulli.

Liria e Kosovës nuk është si liritë e tjera.

Në liritë e tjera 
luftëtarit i qendisin gjoksin me medalje 
dhe shpallet hero
në lirinë e Kosovës 
luftëtari i saj gjithë vitet i kalon 
duke i shëruar plagët nëpër gjyqe e burgje
var veten në trekëndshin e skamjes
këputet si gjethi në vjeshtën e vonë
shtrihet mbi sofrën e varfër të fëmijëve
dhe u thotë
hani plagët e mia
Liria nuk më dha gjë tjetër.

Liria e Kosovës nuk është si liritë e tjera

Liria e Kosovës i ha luftëtarët e vet.


LUFTËTARIT QË BËRI VETËVRASJE

(Të gjithë luftëtarëve, që pas luftës bënë vetëvrasje)

E ndiqte vdekja në istikame
në zjarrin e flakën që digjte Kosovën
në netët e akullta të robërisë
kur luftohej që dielli e hëna
të udhëtojnë lirshëm mbi qiellin e Kosovës
kur luftohej për krahun e thyer të fluturës
mbetur pengvarur në degëzën e një trëndafili
dhe kapërcyllin e vrarë në bulim.

Ai i sfidoi të gjitha vdekjet
që e ndiqnin hap pas hapi
deri maje Bregu
kur e pa Diellin që po e barte Lirinë
siç e sjellin krushqit nusen
dhuratë për tokën që kishte rënë
aq shumë shi i vakët
dhe kishin rrjedhur aq shumë lumenj gjaku
nëpër unazat e shekujve.

Ai kurrë nuk e kishte marrë me mend
se në Liri
sofrën e fëmijëve të tij
do ta shtrojë me mjerimin e tyre
e vdekja mund të fshihej
pas petaleve të luleve e Diellit në Pranverë.

Ai kurrë nuk e kishte marrë me mend
se do ta hajë, ah, ajo
për të cilën i sfidoi të gjitha vdekjet...


Liria!...


SI TA GJEJ RRUGËN E ATDHEUT

Nëpër rrugët plot kryqëzime 
zigzage e me kthesa të Evropës
e kërkoj rrugën e AtDheut.

Gjurmoj nëpër tërë gjeografinë rrugore
kaloj të gjitha hyrjet e daljet
kot - s`e gjej dot 
as rrugën e Atit 
as rrugën e Dheut.

I pyes kalimtarët e rastit
hënën, yjet, qiellin
Universitetet, Akademitë, Parlamentet
heshtje
kot, ah, s´përgjigjen dot.

Ç`është kjo heshtje?
Ç`është ky ngurrim?
Ku është rruga e AtDheut tim?

Si quhet ajo rrugë?
Apo ndoshta Via Evropa
që kalon mespërmes këtyre fushave
e këtyre maleve
shtrihet deri në fund të Gadishullit Ilirik
atje ku deti takohet me det
e malet e larta me qiellin.

Eci mes për mes Evropës
sipër këtyre rrugëve 
shfaqet mizore historia
mbi kurrizin e këtyre rrugëve
janë shtrirë gurët e AtDheut tim
mbi të cilët lodrojnë: 
regjisorë
politikanë
ushtarakë
teologë
historianë
rrobaprerës
e
rrobaqepës
dhe kudo hasi
në kopsat e këmishës së AtDheut tim
të pëlcitura nga agushia
e tepërngushtësia deri në ngulfatje.

Mbi trupin e AtDheut tim
kryqëzohen rrugët e Evropës.

Ndanë rrugëve
rrjedhin lumenj gjaku dardanë e arbëror
e mbi ta tragjikisht noton historia.

Eci rrugëve të Evropës
e mbi to shtrihen mijëvjeçarët
dhe dëgjoj thyerjen e shpatave
gurgullimën e lumenjve të gjakut
hingëllimat e kuajve
klithmat dardane e vajet e nënave
gërzh-gërzhin e gërshërve
që prejnë këmishën e AtDheut tim,
dëgjoj, ah, gjëmat e Arbërisë.

Kudo nëpër këto rrugë të Evropës
që unë sot eci i huaj
e fshij djersët që pikojnë 
në tokën e të parëve të mi 
nën Lisin Plak tek këmbët e qytetit Arber*
së bashku me artifakte AtDheu
gjithë natën e lume rrimë së bashku
në zjarre betejash
në klithma e britma fëmijësh e nënash
duke e shikuar AtDheun, ah, si tkurret
sikur një hartë plastike në zjarr
digjet edhe lëmshi i mendimeve të mia
që nuk tretën dot as në ëndërr 
sepse, ah, dikur këtej kanë ecur të parët e mi
me gjak, emër, flamur e tapi
mbi këto rrugë që nisin
aty ku takohen Germany e Illyricum
dhe shtrihen tejpërtej Evropës
deri atje ku puqet deti me det
e bjeshka me qiell
e maje bjeshke çerdhja e shqiponjës
me syrin pishë e shikimin diell.

Eci i huaj rrugëve të Evropës
mes gjëmave e thirrjeve 
kërkoj rrugën e AtDheut.

______________

* Arber (Großer Arber, Kleiner Arber), qytet në Bavari të Gjermanisë.

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire