Elida Rusta |
Pash' andërr
atë ma t'bukurën ndër shoqe.
Ti erdhe pa pyt,
pa lajle e lule,
shkunde dramcat e fundit t'vajit,
që m'lidhën krahët.
Ta ndiva frymën
deri në dhomën e shpirtit
që digjet n'zjermi.
Valbona heshti...
Rrueza gurësh më mbetën n'fyt,
nata u çmend për nji fjalë.
Harpa e dashnisë
Ti duhet ta kujtosh atë natë
me sytë lagshtitë si ujë bore,
kur zjerm meteorësh rrzohej mbi ne,
frigue dridhshëm në krahë zogjsh.
Unë i mbaj mend
ditët kur m'báne robinë,
netët kur ndihesha mbretneshë,
kur njimijë vjet dashni i sajuem n'hanë,
njimijë tjera i rranuem krejt.
Të deshta përballë
me pa veten má mirë.
Tash lypi vetminë e syve,
t'syve që lidha me shaminë arom'rrallë të verbimit.
Harpa e dashnisë u kris',
as ison e vjetër nuk e përcjell má,
porta e durimit u shemb,
qielli lakuriq regtin gjurmë yjesh.
Ti që lexon n'terrin tém ma t'thellë
a ndjen ftohtë grisë së jetës,
kur netët e mia flakadan,
mërdhasin në pritje,
e brengën tonë e qaj veç unë...
Pa titull
Flokshprishun,
përplasun dyerve t'shpirtit,
shtjellash të varuna.
Në sytë e ájun t'natës pa gjumë,
kapërdij edhe copën e fundit t'mishit
t'mbetun gjallë prej zemrës.
N'frymë përthithet lëngata e dimnit
harrue diku në nji cep t'Kashtës s' Kumtrit.
Shitohesh kur shenjtin e shpirtit vjedhin
e përfund mes ferrash
mbetet nji kunor' mimozash t'vyshkuna
flakun idhshëm
ditës ma t'thellë të trishtimit...
Poetët dashurohen edhe pas vdekjës
Kur sytë i mbylli n'krahë të nji mjegulle,
nuk di çka me ba me veten!
Ti s'je!
T'lypi si dikur
në nji copë t'thyeme meteori
Ty Zot prej fjalësh të pandieme
që ma ruen dëshirën
me t'var në shi t'Prishtinës,
me t'mbyt n'ditë vere
me t'pshtue n'det t'Ulqinit.
Paska gjana që përditë dehin,
má shumë se nji gotë
Ndoshta premtimet e pazáshme që i dham' njani- tjetrit
Ndoshta se poetët
dashurohen edhe mbas vdekjes.
S'di kur ...
Sonte e s'di kur
kam me shkrue për ty,
se s'shkruhet n'ránë,
kur era fryn si e tërbueme.
Në dhomën téme t'rrëfimit,
nën peshën e mkateve që kurrë s'i kam ba,
jetoj, vdes e kthehem me lind për s'dyti,
për s'treti...
Vdes n'kamb',
aspak drojshëm.
Guxoj me zblue shpirtin
me vrullin që m'çan gjoksin.
Mes rreshtash
s'mujta me t'mshef,
as kur mungove,
as kur ishe n'hanë t'shthurun,
as kur shkele borën e virgjën me gjurm' tutsi
pa msue se puthja zgjat
sa nata njimijë vjeçe.
Harrove se poetët vuejnë për dhimbje,
e n'ftyrë veç durim kanë qendis,
se dielli edhe nesër ka me rá.
Nesër,
në agun e parë t'ditës re,
ti ke me kén veç nji mendim
si rob që e tremb dashnia,
i lirë në rrugën e prishjes së ándrrave.
Ke me u djeg
n'flak' t'oxhakut tém
me msue se hiçi ásht ma i idht' se deka,
se këmbanat
kurrë s'munden me lajmrue meshën pa vakt...
Doruntina e 7 fjalëve në një besë
Erdhe prej nji cepi harrese diku,
fëshfërimës s'largët të stinës së shirave
pa zhurmë,befas...
mendimeve t'vetmueme heshtas.
Kot më mundon!
Me ty prush lisash záplotë
báhem hapësin' e zjarrtë e nji ylli,
bjeshkët i çoj prej gjumi,
i tërheq n'cep t'synit.
Jam Doruntina e shtatë fjalëve në nji besë.
Aucun commentaire:
Enregistrer un commentaire