mardi 5 mars 2019

Sabit Istogu - Në 21 vjetorin e luftës në Prekaz

Sabit Istogu

HEROIZMI I JASHARËVE DERI NË VETË FLIJIM

Prej 5 e deri më 7 mars 1988 në Prekaz të Drenicës, u bë një rezistencë dhe sakrificë e pashembullt në historinë tonë, deri në vetë flijim për lirin e vendit. Adem Jashari dhe Jasharët tjerë treguan një heroizëm të paparë deri në atë kohë kundër pushtuesit serb. Në këtë luftë ra heroikisht komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari me 20 anëtarët e familjes së tij dhe 28 bashkëluftëtarë tjerë. Me këtë akt dhe qëndresë heroike Jasharët janë dhe mbeten simbol i rezistencës dhe i rrënjëve të lirisë së Kosovës. Për 15 muaj rresht në këtë lagje nuk frymoi jetë njeriu, kurse tash është një nga vendet më të vizituara në Kosovë, ku është e përmbledhur e tërë krenaria dhe frymëzimi kombëtar i shqiptarëve kudo që jetojnë. 
Viti 1998, s’ka dyshim se do të hyjë në analet më të ndritura të historisë sonë, si një vit i rifillimit të luftës së armatosur kundër pushtuesit serb, që me dekada e mbajti nën sundim popullatën shqiptare të Kosovës. Ky vit padyshim se ndërroi edhe rrjedhën e historisë së robëruar të shqiptarëve në Kosovë, duke e mposhtur bindjen se me Serbinë nuk mund të luftohet, por për çdo gjë, e veçmas për lirinë e atdheut, duhet vendosmëri dhe sakrificë. Sulmi i parë i datës 31 janar të po këtij viti mbi Jasharët, ishte vetëm një test i forcës së armatosur të Adem Jasharit dhe shokëve të tij. Pas këtij dështimi të forcave serbe, ata vlerësuan se duhej një forcë shumë e madhe dhe më e fuqishme për ta mposhtur Adem Jasharin. Që nga ajo ditë, forcat e okupatorit serb, të cilat kishte kohë që ishin vendosur në kompleksin e fabrikës së municionit të gjuetisë ”Trepça”, bartnin pandërprerë municion me kamionë, hapnin llogore e shumëçka tjetër, duke tentuar që këtë ta bëjnë në fshehtësinë më të madhe. Aty diktoheshin edhe automjete të njësive speciale dhe njerëz me maska që dilnin tinëzisht ta vëzhgonin dhe incizonin terrenin. Të gjithë ishin të bindur se diçka e shpejtë do të ndodhë, ngase kishte filluar t’i vinte era barotit. Më 28 shkurt ndodhi ngjarja e tmerrshme në Qirez e Likoshan të Drenicës, ku u vranë e masakruan hiç më pak se 24 veta, në mesin e të cilëve edhe gra shtatzëna. Ky ishte një ogur i keq se pushtuesi serb do të jetë edhe më i pamëshirshëm se i viteve të luftës së vitit 1945. Po ashtu u pa shumë qartë se kjo dhunë do të zgjerohet në mbarë Drenicën e në disa pjesë të Kosovës, ku pushtuesi serb mendonte se është në lidhmëni UÇK-ja. Të tëra këto ishin një shenjë ndjellakeqe se diçka do të ndodhë shpejt. Nga frika e ndonjë të papriture, pothuaj të gjithë qytetarët e Drenicës flinin me rroba veshur. Dita e 5 marsit 1998, agoi në shtetrrethim të plotë të lagjes Jashari në Prekaz, dhe nga fshati Trnafc e deri në Palac, që ishin rrethuar nga mia forca ushtarake, sosh militare e paramilitare serbe. Ata u pozicionuan përgjatë rrugës së asfaltit dhe vetëm 70 metra larg shtëpisë sime, ku ndodhesha plotësisht i vetmuar. Masakra e Qirezit dhe Likoshanit ishte e freskët, andaj edhe frika se ata mund të depërtojnë nëpër shtëpi e të ushtrojnë edhe një masakër tjetër të tillë ishte e madhe. Disa me t’i parë këto forca, morën arratinë. 
Nga çdo anë filluan krismat e automatikëve, mitralozave, topave dhe autoblindave, ndërkaq nga fabrika e municionit, pandërprerë bombardoheshin e granatoheshin shtëpitë e Jasharëve, veçmas ajo e komandantit të UÇK-së, Adem Jashari. Sulmet serbe ishin tejet të fuqishme, por edhe nga ana e luftëtarëve të Jasharëve, krismat ishin të furishme, por më të rralla. 
Bashkim Jashari, pjesëtar i familjes Jashari, rrëfen se më 5 mars, ai me Agim Aliun e Shekip Fazliun, rreth orës tre të mëngjesit, kanë dalë për të vëzhguar përreth malit, sipër lagjes së Jasharëve, i cili kufizohet edhe me kompleksin e fabrikës së municionit të gjuetisë "Trepça". Gjatë vëzhgimit më shumë se tri orësh, kur veç kishte filluar të zbardh agu i mëngjesit, ata nuk kanë vërejtur asnjë lëvizje të forcave serbe, brenda apo jashtë fabrikës së municionit. Bashkimi dëshmon: 
“Pas orës gjashtë, kur jemi kthyer ashtu qetas, në oborr i kemi gjetë zgjuar Ademin, Hamzën, Shabanin e dajën Osman (Osman Gecin), sepse ata kishin marrë njoftime se forca të shumta të ushtrisë serbe po e rrethonin Prekazin. Këto njoftime ua kishte dhënë Shani Geci, i cili atë mëngjes kishte biseduar me Adem e Bashkim Jasharin. Ademi na ka urdhëruar të gjithëve që ishim aty, t’i zëmë pozicionet. Ademi me dajën Osman, janë pozicionuar sipër shtëpisë së parë, nga ana e malit dhe drejtimi i fabrikës së municionit, Hamza, Bilalli, Faiku e disa të tjerë, afër shtëpisë së mesme, kurse unë me Shekipin, Ragipin e Halilin në pozicionin pranë shtëpisë së fundit, ndërkaq babagjyshi (Shabani), ëndej fshehurazi nga një pozicion në tjetrin dhe ne familje. Brenda 15 minutash, derisa ne i kemi zënë pozicionet, janë parë ushtarët e këmbësorisë serbe duke u lëshuar nga mali në drejtim të shtëpive tona. Kur ata kanë ardhur deri në një afërsi, të parët mbi ta kanë shtënë Fitimi i Ademit dhe Besimi i Hamzës, të cilët ishin të pozicionuar afër furrës së bukës, te shtëpia e vjetër. Që nga ai moment është ndezur lufta, duke e shtuar intensitetin gjithnjë e më shumë. Pas gjuajtjeve nga automatikët e mitralozët, disa ushtar serb janë vrarë e disa tjerë kanë nis të zbrapsen. Atëherë në drejtim të shtëpive, forcat serbe janë drejtuar me disa tanke, por një prej tyre Ademi e ka goditur e asgjësuar në vend me mortajë dore.”



E para është vrarë Adilja

Pas orës tetë, Hamza në komunikim me Ademin më ka njoftuar se në katin e tretë të shtëpisë, është vrarë Adilja (shoqja e Adem Jasharit) derisa po i sillte municion Ademit, kujton më tutje Bashkimi. 
Bashkimi më tej shpjegon se deri rreth orës 12 të ditës kemi mundur disi të komunikojmë mes vete. Unë me Hamzën, që ishte në mes, e Hamza me Ademin e babën Shaban. Kur është ashpërsuar lufta, pas orës 12, ne kemi tentuar ta zëmë një pozicion më të përshtatshëm në anën e poshtme të rrugës dhe shtëpisë ku ndodheshim, por më na është pamundësuar kthimi në pozicionin e mëparshëm, nga gjuajtjet e ushtrisë serbe me tanke e mitraloz. Në pamundësi për të vepruar më, jemi lëshuar afër lumit, dhe kemi lëvizur përpjetë tij, duke u shpërndarë mes vete. Nga gjuajtjet e pandërprera, jemi shtri buzë lumit dhe jemi shtirë sikur jemi të vrarë. Derisa qëndronte në këmbë pran nesh, nga një snajper serb, është qëlluar e vrarë Halil Jashari. Të shtrirë aty kemi qëndruar derisa ka rënë terri mbi tokë, dhe pastaj jemi ngritur e jemi nisur në drejtim të Prekazit të Epërm. Afër 500 metra më tej, në disa ferra të shpeshta, janë dëgjuar ca lëvizje e gjëmime njerëzish. Kemi kuptuar se aty ndodhet dikush që ndoshta mund të jenë të plagosur. Kur shikuam, aty gjetëm Bilall e Qemajl Jasharin, të cilët nga të ftohtin dhe qëndrimi ne një vend, ishin pothuaj gjysmë të ngrirë, dhe mezi i ngritëm, por nuk i mbanin këmbët. Me vështirësi i aftësuam të qëndrojnë në këmbë, e më pas, ngadalë morëm rrugën për në fshatin Mikushnicë. Kah mesi i natës trokitëm në dyert e një shtëpie, që kishte qenë e Kamer Mangjollit. Ai, edhe pse kishte rast vdekje në shtëpi, pa hezitim na futi brenda, duke na shërbyer me ushqime dhe na i ndërroi rrobat e lagura. Se çka vërtet ka ndodhur në lagjen Jashari, nuk mund të dijë askush, përfundon rrëfimin e tij Bashkim Jashari.

Sipas një dëshmitari që më thërriste në telefon, deri pas orës 12, në lagjen e Jasharëve kanë funksionuar linjat telefonisë fikse. Këtë e ka dëshmuar edhe Bashkim Jashari. Askush nuk mund të dinte se ç’po ndodhte aty, pos që dëgjoheshin krismat dhe shihej tymi e flaka e shtëpive. Dëgjoheshin të shtëna edhe në drejtim të lagjes së Lushtakëve e Kodrajve të Prekazit, rreth dy kilometra larg lagjes së Jasharëve. Kuptova se edhe andej po bëhej luftë, dhe se luftëtarët e atjeshëm në krye me Ilaz Kodrën, Naim, Nuredin e Sefer Lushtakun dhe me luftëtarët tjerë, kanë penguar depërtimin e forcave serbe në këto dy lagje. Luftimet nuk pushonin për asnjë çast, por vetëm sa dukej se ato bëheshin gjithnjë e më të ashpra. Në shtëpi ku isha i mbyllur, pandërprerë më thërriste telefoni nga Avni Spahiu, kryeredaktor i atëhershëm i gazetës sonë”Rilindja”, si dhe shumë agjenci botërore të lajmeve në shqip, si:”Zëri i Amerikës”, ” Doiqe Vele”, BBS-si, TVSH- e shumë të tjera. Unë edhe në atë gjendje aq të rëndë që ndodhesha, i vetmuar në dhomë, i njoftoja vetëm për atë që shihja e dëgjoja, sepse as edhe një hap të vetëm, nuk mund ta bëja përtej derës së shtëpisë, por vetëm shikoja se kur ushtarët dhe policët serbë po marrin hov dhe po depërtojnë në shtëpitë tona. Nga një dritare e prapme e shtëpisë, hipa nën çati, dhe fshehurazi shikoja në drejtim të Jasharëve, por nuk mund të shihja asgjë pos tymit e flakës. Nën çati improvizova një vend për t’u fshehur në rast se ushtria serbe do të depërtonte nëpër shtëpitë tona, sepse në fshatin Likoshan, disa veta pesë ditë më parë, më treguan se si ata kishin shpëtuar duke u fshehur nën çatitë e shtëpive të tyre. Më kujtohet kur rreth orës 16, derisa unë kisha në dorë disa fotografi të fëmijëve të mi, që ndodheshin jashtë vendit në perëndim, duke i shikuar, më kaploi një mall për ta. Mendoja se athua do t’ i shoh më e të çmallem me ta para se të vritem apo të kapem nga ushtarët kriminelë serbë. Në ato çaste, në telefon më thirri Asllan Bajrami nga TVSH. Pasi më pyeti për situatën, m’u lut që ta bëja një raport për emisionin e lajmeve. Unë i shpjegova për gjendjen e rëndë që ndodhesha, por ai sërish m’u lut dhe unë i bëra një raport të shkurtër tonik me emocione gati duke qarë, dhe ai raport doli ndër lajmet më natyrale të asaj nate nga afërsia e vendit të ngjarjes. Kjo paraqitje imja atë natë kishte sjellë njohuri tek të gjithë të afërmit e mi në mërgim edhe tek banorët tjerë të kësaj lagje nën rrethim, të cilit kishin ikur, se ne ndodheshim mirë. Gjatë tërë asaj dite gruaja ime ka qëndruar 15 metra larg shtëpisë, afër një shupe, sepse aty e kishte zënë rrethimi, dha aty mbeti pa guxuar të lëvizte e të hynte brenda. Sulmet vazhduan pandërprerë deri rreth orës 19, ndërkaq në fabrikën e municionit, me një intensitet më të zvogluar, granatimet vazhduan gjatë tërë natës. Askush nuk mund të dinte për pasojat, pasi askush nuk mund të dilte jashtë pragut të shtëpisë. Atë natë, edhe pse shumë i lodhur, disa herë më thirrën shumë bashkatdhetarë tanë jashtë vendit, shumicën e të cilëve nuk i njihja fare, për të më pyetur për luftën që po zhvillohej.

Në ditën e dytë më 6 mars, sërish para orës 7 të mëngjesit, u bë rrethimi dhe filluan sulmet me të njëjtin intensitet. 
Një i ri dëshmitar N. N. që kishte mbijetuar, i ka deklaruar gazetës së atëhershme "Rilindja" kur kanë nisur granatimet e artilerisë së rëndë serbe, shtëpitë morën zjarrin e tjegullat u binin mbi kokë, gratë e fëmijët filluan britmat. I fshehur në tavan, ai thotë se e ka parë me sytë e tij Hamit Jasharin duke u djegur shokë e përpjetë. Nga djegia e tij, edhe ky ka pësuar lëndime djegiesh këmbëve dhe plagosje nga plumbat. Nga breshëria e bombardimeve, Sadik Jashari me anëtarët e familjes së tij Hafijen, Fatimen, Elfien, Hamdiun, Ramizin, Ukshinin e Shahinin, janë strehuar në një bodrum. Në këtë familje ishin edhe dy mysafirë nga Tërsteniku, Fatimja dhe Ismaili, i cili është vrarë dhe ka mbetë nën rrënojat e shtëpisë së Hamitit. Kur i janë vrarë shumica e familjes, dëshmitari thotë se me këmbë të djegura e i plagosur në kokë, ka shkuar në shtëpinë e Halitit, e cila ende kishte mbetur e pa rrënuar, dhe ka hipur në tavan, kurse rreth tij nuk kishte njeri të gjallë. Gjatë qëndrimit treditor këtu, ai tregon se ka parë kufoma të vrara njëra mbi tjetrën dhe ushtarët serbë duke i masakruar të vdekurit. Nën të, ai për tri ditë e tri net i ka parë shfrenimet serbe. Gjatë natës ushtarët serbë hanin, pinin, festonin e shtinin me armë dhe shkruanin simbole çetnike, kurse gjatë ditës i thyenin dyert e shtëpive, ndiznin zjarre nëpër oborr e zienin kafe. 
“Në mbrëmjen e së dielës, i molisur nga plagët e uria, ngadalë kam zbritur nga tavani. I kam kërkuar kufomat e familjes, nënën e tre vëllezërit që m’i vranë para syve, por ato i kishin bartur serbët dhe i kam gjetur vetëm të mbathurat e tyre. Ashtu si kam mundur, zvarrë jam tërhequr deri në lagjen Kodra, rreth dy kilometra larg. Në dritaren e një shtëpie kam vërejtur një xixë drite të zbehtë llambe, dhe lehtas, për të mos i frikësuar ata që mund të ndodheshin brenda. Për fatin tim, një plak e ka hapur derën dhe me plakën e tij më kanë futur brenda. Pasi u kam treguar se kush jam, ata nuk besonin se ndokush kishte mundur të shpëtojë, pas gjithë asaj breshërie artilerie e zjarresh që kishin ndodhur mbi shtëpitë e Jasharëve. Më morën, më pastruan e ndërruan rrobat, dhe më shtruan ushqime për të ma shpëtuar shpirtin”, i ka thënë gazetës Rilindja” ky i ri dëshmitar. 
Atë ditë forcat e okupatorit serb në lagjen Jashari i zunë disa gra e fëmijë të grumbulluar e strehuar ne bodrumin e një shtëpie dhe i kanë nxjerrë jashtë, tregonte më vonë Zukë Jashari (80), që ndodhej me ta. Disa i kanë larguar në drejtim të Prekazit të Epërm e disa i kanë dërguar në fabrikën e municionit të gjuetisë ”Trepça”. Aty për disa orë i kishin rrahur e torturuar, e disa edhe i kanë pushkatuar. Para sysh ma kanë vrarë edhe djalin tim Nazmiun- tregonte Zuka. Me ata që mund të komunikoja gjatë tërë atyre tri ditëve në Skënderaj, ishin Adem Meta, sekretar teknik i NKDMLNJ-së, i cili ndodhej në anën perëndimore të qytetit. Në Shtëpinë e Shëndetit mjekët më njoftuan se ata as nuk mund të dalin e as të pranojnë pacientë, ndërkaq grave lehona të shtrira dhe atyre (personelit mjekësor), fshehurazi bukë po u sjellin qytetarët. Komunikoja edhe me Ajnishahe Shalën, veprimtare e gruas, si dhe me disa qytetarë në hyrje të qytetit, nga drejtimi i Mitrovicës, prej nga vinin e dilnin forcat serbe e shumë të tjerë. Të gjithë këta më njoftonin për çdo lëvizje të ushtrisë okupatore serbe. Rreth orës 12, Adem Meta më njoftoi se forcat serbe i kishin liruar 19 anëtarë të familjeve Jashari, që i kishin zënë rob nëpër shtëpitë e tyre, të gjithë pleq gra e fëmijë, të cilët i kishin dërguar fillimisht në fabrikën e municionit të gjuetis “Trepça”. Atyre u është dhënë ndihma e parë mjekësore në Shtëpinë e Shëndetit në Skenderaj, dhe më pas qytetarët e shtëpive të afërta, si Bejtë Gashi e të tjerë, i kanë strehuar dhe marrë në përkujdesje. Në mesin e tyre ndodhej edhe e bija e Hamëz Jasharit - Besarta, atëherë fëmij 9-vjeç, që kishte shpëtuar duke gjetur strehë nën magjen e shtëpisë së shkatërruar, por ajo, më thoshte Meta, nuk ishte në gjendje që të tregonte asgjë. Aty ushtarët serbë kanë rrahur rëndë deri në alivanosje Naser Jasharin, të cilit ia kanë thyer dhëmbët, dhe më pas vetë të tretin e kanë dërguar në stacionin policor në Skenderaj e Mitrovicë dhe pas orës 24 i kanë liruar. 
Rreth orës 15 të asaj dite, disa fqinjë tinëzisht më njoftuan se në lagjen tre të Skenderajt, ku banoja edhe unë, e që ishte më e afërta me atë të Jasharëve, kishte ardhur Zenë Jashari. Edhe pse në gjendje tejet të rëndë psikike e shpirtërore, ai megjithatë e kishte ruajtur vetëdijen. Zena tregoi se forcat serbe ia kishin vrarë gruan me dy fëmijë, kurse dy fëmijë të tjerë, fare të mitur, ia kishin rrëmbyer dhe e mbante shpresa se do t’i lironin, ndërkaq më vonë në mesin e kufomave të Jasharëve, ndodheshin edhe ata, të cilët ushtarët serb i kishin ekzekutuar.

Rreth mbrëmjes së 6 marsit, lufta më e ashpër u përqendrua rreth shtëpive të Hamit e Sadik Jasharit. Nga shtatë anëtarët e familjes së Sadikut, për disa sish as sot e kësaj dite nuk dihet asgjë, por supozohet se ata mund të jenë djegur dhe s’kanë mundur të identifikohen, kurse trupat e tyre mund të ndodhen në mesin e kufomave të paidentifikuara. 
Edhe këtë ditë, të paktën 10 herë, Avni Spahiu-kryeredaktori i “Rilindjes” më thirri për të më pyetur rreth situatës, kurse telefonatat nuk pushonin duke më thirrur agjenci lajmesh të ndryshme dhe njerëz pothuaj nga të gjitha anët e Kosovës dhe jashtë saj. Telefonatat nuk pushuan as gjatë tërë natës. Pas mesnatës së kësaj date, nga Gjermania më thirri edhe Rifat Jashari. Ai më pyeti se çka mund të dijë për ngjarjen, por unë nuk dija çka t’i tregoja më shumë, pos tymit e flakës që shihja duke u ngjitur në qiell. Dhe jo unë, por askush nuk ka mundësi të dijë se çka vërtet është duke ndodhur në këtë lagje, pasi që ishte e pamundur të depërtohet në të dhe as afër saj, iu përgjigja Rifatit. 
Ditën e tretë deri rreth mesditës, forcat serbe gjithashtu granatuan pandërprerë e më pastaj, siç më njoftuan disa dëshmitarë dhe asaj që mund të shihnim nga mali afër lagjes tre të Skenderajt, ata filluan ta bëjnë pastrimin e terrenit, si dhe po i bartnin të vrarët. Sërish në natën e kësaj dite më thirri Rifat Jashari nga Gjermania dhe m’u lut t’i tregoja për të vërtetën që mund të dija. Unë serish i thashë se nuk mund të di më shumë, pos asaj se ata kanë qenë të gjithë në shtëpi, zor se mund të ketë shpëtuar ndonjëri. Ma merr mendja se ata mund të jenë vrarë të gjithë, më tha sërish Rifati, por ju lus të gjithëve kush të mundeni andej, që ato kufoma t’i varrosni si iu ka hije juve dhe si e meritojnë ata, dhe t’i radhisni ashtu sipas radhës. Këtu m’u zu fjala në fyt, dhe nuk munda të flisja më tej. Për t’i varrosur do t’ bëjmë çmos, por si e meritojnë sigurisht se nuk do të mundemi nga rrethanat e krijuara, thashë me vete. Rreth orës 24, Enver Nuredini, miq të familjes Jashari, më njoftoi përmes telefonit se komandanti stacionit policor Ilia…, e ka njoftuar të vëllanë e tij, Ilmiun, (dhëndër i familjes Jashari), që të nesërmen të shkonte në morgun e spitalit në Prishtnë për ta bërë identifikimin e kufomave, dhe të nesërmen ai kishte shkuar ta bënte këtë. 
As ditën e katërt nuk pushuan të shtënat dhe granatimet mbi shtëpitë e shqiptarëve në lagjen Jashari. Atë ditë, pothuaj si vetmi gazetar që ndodhesha në brendi të Skenderajt dhe që mund të komunikoja me të gjitha agjencitë lajmeve, më njoftuan se policia dhe ushtria serbe, pos postblloqeve që kishte vendosur në rrugëkryqet më të rëndësishme të hyrje daljeve në Skenderaj, kishte vënë postblloqe edhe në rrugëkryqin në Komaran të Drenasit, në afërsi të fshatit Marinë, në Klinë të Epërme në rrugëkryqin që shpie për në Skenderaj e Pejë, në dy vende afër fshatin Turiqefc e shumë rrugëkryqe tjera, që tregon se ushtria serbe kishte për qellim ta izolonte plotësisht Drenicën, e veçmas Skenderajn, si vatër e kryengritjes. 
Në lagjen e Jasharëve atë ditë gjatë tërë kohës dëgjohej zhurma e buldozerëve, të cilët i rrafshonin shtëpitë dhe e bënin sërish pastrimin e terrenit për t’i mbuluar gjurmët e krimit. Ende askush nuk mund të dinte për pasojat në njerëz. Shifrat që shpesh jepeshin nëpër mjete të informimit, ishin të pakonfirmuara nga askush dhe vetëm supozime. Edhe natën e katërt pas mesnate, nga Gjermania më thirri sërish bacë Rifati, t’i tregoja të saktën pa ngurrim. Këtë natë i tregova për të gjitha ato që dija.

Lajmi për vrasjen e Adem Jasharit m’ i shkurtoj këmbët

Para mesnatës së katërt, sërish më thirri Enver Nuredini, i cili më njoftoi se para stacionit të policisë në Skenderaj, kishin arritur kufomat e shqiptarëve të vrarë në lagjen Jashari të Prekazit. Pyetjen e parë që ia bëra ishte se a ndodhet i vrarë edhe komandanti Adem Jashari, dhe ai më tha se po. Ky lajm ishte ndër më të hidhurit që kisha përjetuar gjatë atyre katër ditëve. Ky pastaj më tha se të nesërmen duhet shkuar për t’i zbarkuar kufomat, ndryshe ato do t’i varrosin serbët në një varr të përbashkët. Për këtë, më tha Enveri, kemi marrë lejen e komandantit të policisë Ilia…, se të gjithë njerëzit janë të sigurt për këtë. Ditën e pestë në mëngjes, i ftova disa fqinjë të lagjes sime dhe iu tregova se duhet të shkojmë për t’i varrosur kufomat e Jasharëve, dhe se për këtë është dhënë edhe leja e policisë. Ditën e pestë, pas katër ditësh ngujimi të terrorit serb, me disa fqinjë dolëm nga shtëpitë. Rrugët dukeshin të shkreta pa asnjë njeri, shiheshin vetëm policë të armatosur serbë, dhe aty këtu ndonjë qen endacak që kërkonte ushqim. Shumë dyqaneve iu ishin thyer xhamat e u ishte vjedhë malli nga policët serbë. Duke na parë neve, morën guximin të dalin edhe shumë qytetarë tjerë, dhe për pak kohë rrugët u mbushën pothuaj përplot me njerëz, të cilët për katër ditë nuk kishin guxuar të dalin nga shtëpitë e tyre. Shkuam para shtëpisë së Ilmi Nuredinit, që ishte afër stacionit të policisë. Aty ishin të parkuar dy kamionë me kufoma, të mbuluara me një çadër. Aty ndodhej edhe komandanti i policisë Ilia dhe shefi i policisë Branko Jarediq. Ndërkohë aty u caktuam këshillin për varrim dhe atë për pranim të kufomave. Ato, pasi i morëm në dorëzim, i vendosëm nën çatinë e një depoje të materialit ndërtimor në hyrje të Skenderajt. Kufomat ishin shumë të dëmtuara, e disa sosh edhe të djegura rënd saqë ishte e pamundur të bëhej identifikimi i tyre. I pari që më ra në sy nga kufomat, ishte një djalë flokëbardhë i Adem Jasharit, pastaj vazhdova t’i shikoja radhazi. Kufomat ishin që të gjitha të zhveshura e të mbuluara me një mbulojë bezi të bardhë. Kufoma e komandantit Adem Jashari, ishte ndër më të pastrat dhe e goditur vetëm me një plumb. Nga djegiet, 7 kufoma nuk mundën të identifikohen, por ato njiheshin vetëm nga forma se mund të kenë qenë njerëz. Në mesin e kufomave nuk ndodheshin ajo e Shabanit dhe e Hamzës. Askush nuk e dinte pse ato nuk ishin së bashku me kufomat tjera, por sikur u ngjall një fije shprese se mos kanë shpëtuar. Gjatë asaj dite kufomat shkuan për t’i parë e nderuar pothuaj të gjithë qytetarët e Skenderajt, dhe të shumë fshatrave të Drenicës, si dhe fshatrave e qyteteve tjera të Kosovës, që kishin rrezikuar të vinin këtu nëpër rrugë të ndryshme, të cilët ishin përballë edhe me policinë serbe nëpër punkte të ndryshme gjatë rrugës. Nga komandanti i policisë në Skënderaj, ishte urdhëruar që kufomat të varrosen më së largu deri të nesërmen në orën 13 dhe pa ceremoni. Për këtë, përmes mjeteve të informimit, gazetave e TVSH-së, e njoftuam opinionin. Të nesërmen, ditën e gjashtë, shumë qytetarë nga Skenderaj e Klina e poshtme, erdhën në lagjen e Jasharëve për t’i hapur varrezat që në orët e mëngjesit. Po atë ditë në shtëpinë e rrënuar nën gërmadha u gjet e vrarë Sala Jashari (shoqja Hamit Jasharit). Ndërkohë, edhe përkundër pasojave në rrugë, nga të gjitha anët arrinin njerëz për të marrë pjesë në varrim dhe ishin grumbulluar mbi njëmijë veta. Pashë se kishte edhe disa burra të Jasharëvë, Lushtakëve e Kodrajve. Aty mësova se në lagjen e Lushtakëve e Kodrajve nuk ka asnjë të vrarë, dhe se banorët janë larguar nga shtëpitë e tyre. Pas orës 16, këshilli i varrimit përmes Ramadan Gashit, njoftoi se varrimi nuk do të bëhet atë ditë, por të nesërmen në të njëjtën kohë, pasi që ata nuk kishin mundur t’i përgatisin kufomat, por edhe një dëshirë e të gjithëve ishte që varrimi të mos bëhej atë ditë, por të nesërmen, për ta sensibilizuar edhe më shumë përmes mjeteve të informimit faktorin ndërkombëtar. Rreth orës 17, forcat serbe i detyruan me dhunë disa qytetarë e anëtarë të këshillit për varrim, që ndodheshin duke i sistemuar kufomat, t’i ngarkonin dhe t’i bartnin me kamionë për t’i dërguar në varreza që ishin të hapura gjatë ditës, duke i detyruar t’i vendosin të pasistemuara, disa i kishin mbuluar me buldozerë e disa jo, sepse ashtu paskan urdhëruar nga lart.

Fotografitë që tmerruan Stejt Departamentin

Gjatë qëndrimit të kufomave në Depon e materialit ndërtimor më 9 e 10 mars, edhe pse të mbikëqyrura nga policia, aty kishin arritur të depërtonin disa kamera të fshehta si dhe fororeporteri i gazetës “Rilindja”, Ilaz Bylykbashi, të cilin e kishte dërguar kryeredaktori i kësaj gazete Avni Spahiu. Ai në mënyrë profesionale bëri fotografi të secilës kufomë, të cilat i kishte dorëzuar kryeredaktorit të vet. Kryeredaktori Spahiu, të tëra ato fotografi më pas, ia kishte dërguar përfaqësuesit të Zyrës amerikane në Prishtinë, z. Hakebi. Ky i fundit përmes internetit, të tëra këto pamje trishtuese i kishte dërguar në Stejt Departamentit Amerikan, të cilat kishin përfunduar në tavolinën e presidentit të atëhershëm amerikan Bill Klintonit. I tmerruar nga këto pamje, ai dhe departamenti, ishin betuar se nuk do të lejonin më përsëritjen e skenave të tilla në Kosovë.

Rreth orës 22 të asaj nate, sërish Enver Nuredini më njoftoi se policia serbe i kishte sjellë edhe dy kufoma tjera, atë të Shabanit dhe Hamzës. Unë nuk arrita të i shoh ato, por u tha se Hamza e kishte të qarë gjoksin nga një granatë, ndërkaq kufoma e Shabanit kishte pësuar dëmtime të shumta në duar e trup. 
Të nesërmen, ditën e shtatë, sërish na u lejua të shkojmë dhe t’i mbulojmë ato varreza që kishin mbetur të pambuluara. Atje, që në hyrje, pamë se lagja ishte mbushur përplot me gazetarë të agjencive të huaja informative. Edhe atë ditë numri i njerëzve që kishin ardhur për të marrë pjesë në varrim, nga disa anë të vendit, ishte shumë i madh. Ne arritëm që t’i nxjerrim jashtë të gjitha arkivolet e mbuluara, dhe, në sy të kamerave, i sistemuam sipas radhës, dhe se këtë ngjarje drejtpërdrejt, përmes ekraneve të tyre televizive, i përcollën të gjitha radiostacionet televizive më të rëndësishme botërore, si:SNN, BBS e të tjera. 
Kjo ngjarje pati jehonë në tërë botën, kurse ne, qytetarët që morëm pjesë në varrim, me gjithë dhembjen e madhe për rëniet në këtë betejë, ishim tejet të kënaqur që arritëm t’ua bëjmë këtë nderë Jasharëve, duke i sistemuar të gjithë të vrarët sipas porosis së Rifat Jasharit. 
Në rezistencën treditëshe të Jasharëve, forcat e okupatorit serb vranë e masakruan 56 veta, banorë të kësaj lagjeje dhe të tjerë që kishin qëlluar atë natë në këtë lagje. 
Që nga ajo ditë lagja e Jasharëve mbeti plotësisht pa jetë përplot 15 muaj, deri në çlirimin e plotë të Kosovës nga okupatori serb.

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire