lundi 24 juin 2013

Në vend të recensionit nga Prend BUZHALA

Isuf  S Hoxha poet
PESHA E FJALËS




Prend BUZHALA

PROMETHEIZMI IDEALIST

(Në vend të recensionit)


Me poezinë e Isuf Hoxhës ndodhi një shoqëri më shumë se dyvjeçare: nga poezia në poezi, u shkrua një si DITAR leximi në rrjetin social. Fjalia e parë, e shqiptuar nga autori i këtyre rreshtave, ka qenë komenti i përbërë nga një fjali: Poezi e virtytit të pastër. Qenë cituar vargjet:
Në stivë të ndërgjegjes
Djeg arkivolin e veseve
Nervi lirik i shqetësimit krijues, i karakterizon shumicën e këtyre lirikave. Kokëdhembjet e kohës nuk prajnë se nuk prajnë...këto shqetësime barten te vargu i poetit me etikën e fortë të individit: ("s'dua gjë tjetër mos të skuqem në pasqyrë...").

1. Poeti, qenie e mistershme 

Poeti hidhet dhe në reflektime të thella; kafka (shenjë dëshmie dhe simbol urtie...), ka peng një besë: 


Para kafkës
Ndalem e vështroj
Një vrimë në ballë...
Gishtin ia vura
Gjakun t’ia ndal
Buzëqeshi, nofullat afroi
Më pëshpëriti....


Poeti është i gjerë, aq i mistershëm e i thellë sa deti. Porse ai ia tejkalon me vargun e tij, sa edhe deti e xhelozon...Dhe ai e ka pasion këtë xhelozi, në përqasje me lindjen e një jete (poezia "Poeti dhe deti"). Shpesh krijuesi lirik i këndon dy botë të kundërta, kurse folësi a subjekti lirik e gjen rrugën e engjëllit, me anë të ndërgjegjes së zgjuar që përfaqëson brenda vargjeve... Nëpër vargje shpërndahet dhe zemërimi fisnik i poetit, i një shpirti të rebeluar, si këndon ai. Zemërim fisnik, që prek mu në palcë, shpesh me ato apoteozat mitike migjeniane... Gjendjet e lëkundshme e situatat e ankthshme social-njerëzore, autori i reflekton nëpërmes një thënieje lirike të ngjeshur e fine... dhe me një botë të thëlluar e të pasur meditative-emocionale ("Lisit të besimit gjethet i ranë"). Sa i kujdesshëm është krijuesi - kërkues pasionant e luftëtar... dhe , po i shprehu ai me vargun e tij shqetësimet e kohës, shpirtrat do trazohen: "mos ti preku alarmit telat/ gjithë taborët n'këmb do ngriten." Aq tensionuese do të jetë kjo dëshirë pasiononte e shuarjes së jetës në një çast dramatik, për t'u lëshuar diku në një shpellë me gjithë misteret, burimet e bukuritë e saj... aq e përjetuar, sa ai nuk do të dëshironte më të ngrihej lart, tek bota e realitetit "të përditshëm" (luftës)... por të qëndronte atje "poshtë", tek bota e misterit, qetësisë dhe burimit... shkëputur nga niveli tjetër i realitetit - nga ai i "përditshmi", katrahura e luftës dhe jetëve (për liri, jetë etj). E tillë, poezia zgjon asociacione të pasura kuptimore-lirike... 

2. 

Dhe, mbi të gjitha, poeti shquan anteizmin jetësor, me shpirt rebel, tek e godet të keqën, për hir të mbarëvajtjes së jetës dhe bukurisë së jetës...të idealeve të pastra njerëzore... Prometheizmi i brendshëm idealist e jetësor, i jep energji krijuese, vepruese e shpirtërore subjektit lirik...janë vargjet lartësuese të bëmave historike të korifenjve shqiptarë. Është evidencuar shpesh nëpër vargje një evokim lirik që sintetizon formimin tradicional të njeriut shqiptar. Lirika e idealit, herë edhe me tone baladash, këndohet me tone homazhesh të ndjeshme për dy degë-lumenj-lule-koka-pishtarë të një ëndrre e misioni. Gjithçka shtegton kah AMA e vet, kah burimi i vet, rrjedhës së vet, kah fryma e vet e pranvershme, si ta sugjeron titulli iu librit: metaforikë që i jep zë rrjedhës së tillë të peizazhit, jetës, kombit... Dhe vijnë vargjet-gjerdan, të përzgjedhura, për trimin e rënë. Mburoja më e mirë është kjo, pra: identifikim i plotë mes unit lirik e Arbrit. Lindin engjëj... dhe jeta i ka rrjedhat e saj. Paradoksi ndodh si gjithmonë në histori e në jetë, kurse arti poetik i zë ato mu në thelbin e tyre, siç i zë bukur edhe kjo poezi e Isufit. Vijnë poezi përkushtimore për dëshmorët e për idealistët e qenies e të qeniesimit nacional. Klimaksi poetik - shqetësimet vullkanike të emocionit, me llavat, krateret dhe lojën emocionale të kësaj ndjesie, si gjuajtje rrufesh, poeti e ndërkëmben me klimaksin kontrastues-metaforik: lutjen, butësinë e këtij emocioni dhe me imazhin romantik të një shiu të vakët... Kultet e lashtësisë, të mitologjisë shqiptare, të mendësisë sonë etnike dhe kultet e rezistencës sonë proverbiale, thuren në gërshet njëra me tjetrën natyrshëm brenda tekstit poetik të kësaj lirike... Aq i ëndërruar e aq i gjakuar ai vizion jo vetëm poetik, por edhe historik e kombëtar, i kësaj flake janari,i kësaj heroike kombëtare. Kund e kund ai nuk reshtet ta shkruajë dhe një lirikë politike të tipit të Bertold Brehtit. Ndërsa dioptria ironike e kësaj poezie shndërrohet në figurë të goditjes ndaj të keqes që vjen nga një sistem i përmbysur antivlerash, në trajtën e një farse... sepse nuk u gjend "ilaçi" as "dioptria" për ta zëvendësuar atë frymë të së keqes. Historia tani përsëritet vetëm si FARSË, në vend të TRAGJEDISË së një gjysmëshekulli... 



3. Dehja poetike e erosit 
A mund të shkelet mblata e emocionit të bukur të dashurisë, kur të dhurohet si një shportë me lule e dhunti zemre? Poeti ka një bagazh të pasur emocionesh të bukura, thurjesh për situata të befta të kësaj ndjenje. Një shportë metaforike na jepet si dhuratë për pëlqime të tilla të këndshme estetike...dhe ti, shkele, po deshe. Krijim i bukur e metaforizues i situatave intime dashurore...subjekti lirik niset, brenda kësaj hapësire mahnitëse, me "Shportën e kërkesave mbi supe". Më tutje, pra, është evidencuar një dehje lirikë-erotike, e përjetimit ekstatik të dashurisë, e shkallëzuar, nga vargu në varg: shijim i trupit, i pamjes fizikë (si në lirikat popullorë të dashurisë), i ndjenjës dhe i lojës lozonjarë, që e përbëjnë dhe artin e përjetimit lozonjar erotik. Nuk e thoshin kot ata poeticienët e moçëm indus, se "frymëzimi është një dehje e kthjellët" (poezia "Dehje" që është një realizim i gjetur e i bukur poetik). Dashuria mbars muzën poetike me vargje, për ta shënjuar fuqinë e dashurisë... Një dehje të tillë poetike të erosit, e ngërthen edhe kjo poezi, e mbushulluar begatshëm me figura të rendit popullor dashuror, si dhe me rikrijime të tjera të bukura.
Shqiptohet gjithandej një kërkim poetik esencash, si vlera të amshueshme dhe si tipare degraduese, tek gjërat që përcaktojnë qenien e njeriut, me pyetjen aq shqetësuese: ku mbet dashuria? Sepse dashuria është shpëtimtare që ua ndal turrin situatave theqafëse. Një mbresë e thellë, që buron së brendshmi, kundruall dyshimit, për ta ringjallë imazhin e bukur të dashurisë si një vullkan...deri te thirrma ekzlpozive lirike: të dua. Vijnë ndërthurje monologësh lirikë, që vënë në pah drithërimat e brendshme shpirtërore. Lirika dhe ëndërrimet, dëshirat e vizionet fisnike - të gjitha shkojnë bashkë. Prandaj poeti përzgjedh një makrokosmos lirik për ta bërë pjesë të së Bukurës në Jetë e në Art... Duke qenë vetvetja, subjekti lirik dashuron me forcë... dhe pas çdo akti të tillë, trandjesh, ai merr një lëndim, një lëndim që e bën edhe më të përtërirë në shpirt..."do zbres qetas duke shpleksur gërshetin, se kuptove Afërdita/ Jam kërthiza, t'ushqen dashurinë n'kopshtin e Jetës". Është gjë e mirë që Isufi shënon ngritje në thënien e tij lirike, në përgjegjësinë e kujdesin ndaj botës së ideve poetikë dhe strukturimit poetik... Kërkimi lirik për ndjesinë, shtrihet së brendshmi, tek emocioni i bukur i dashurisë, shpërthen së jashtmi, \në hapësirat e pakufi të këtij emocioni. Kërkesa bëhet për realizimin e bashkëndjesive të dy protagonistëve lirikë të dashurisë... Është dhe një vjeshtë metaforike që shpesh zbret në këto vargje, zbret në pranverën lirike me bollëkun e saj... pranvera stis frytnimet e të ardhmes, kurse protagonisti lirik stis përvojën e tij vertikale të qëndrimit të vlerave në jetë. Ndërkaq, rruga deri te puthja e shkëmbimi i unazave, kapërcen nëpërmes një shtegtimi të ankthshëm, shtrëngatash emocionale, jetësore e shpirtërore... Lirikë e joshjeve që të kurthojnë, e gërshetuar me burime mitologjike antike e shqiptare ("buzë deti m'priste e m'joshte e ëmbël një zanë" - zana mitologjike shqiptare ende kurthon, edhe shiton, por është edhe simbol bukurie, frymëzimi etj etj). 



Prend BUZHALA

Aucun commentaire:

Enregistrer un commentaire